Jamarbër Malltezi lirohet nga arresti shtëpiak

Tiranë, 7 korrik 2025 – Gjykata e Posaçme vendosi të hënën të lirojë nga ‘arresti shtëpiak’ Jamarbër Malltezin, dhëndri i ish-kryeministrit dhe liderit të opozitës, Sali Berisha, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Elsa Ulliri dhe me anëtarë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, në këmbim të një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh.

Berisha dhe Malltezi janë tashmë në proces gjyqësor për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi.

Berisha dhe Malltezi i kanë cilësuar akuzat si hakmarrje politike e orkestruar nga kryeministri Edi Rama, duke mos i pranuar ato.

Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.

(Reporter.al)

Comment

*