James O’Brien arrin në Paris. Do të takojë edhe Kurtin e Ramën

Uashington, 10 nëntor 2023 – Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, James O’Brien, ka arritur të enjten në Evropë. Ai do të qëndrojë në Paris dhe në Bruksel deri të martë, më 14 nëntor.

Departamenti i Shtetit bën të ditur se O’Brien do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ndërsa në margjina të forumit do të ketë takime me liderë të disa vendeve të Evropës dhe Azisë, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe kryeministrin e Maqedinisë sw Veriut, Dimitar Kovaçevski.

“Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien do të udhëtojë në Paris, Francë, dhe në Bruksel, Belgjikë, 9-14 nëntor 2023.

Gjatë qëndrimit në Paris, ai do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris dhe do të takohet me drejtorin politik të Francës Frederic Mondoloni dhe me zyrtarë të tjerë francezë, për të diskutuar mbi sfidat rajonale dhe globale.

Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet gjithashtu me liderë evropianë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Armenisë, Pashinyan, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Malit të Zi , Milatoviq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar për çështje rajonale dhe dypalëshe.

Në Bruksel, Ndihmës Sekretari O’Brien do të takohet me Shefin e Stafit të Kryeministrit të Belgjikës, Peter Moors, për të diskutuar për thirrjen e Rusisë në pëgjegjësi për luftën e paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës. Ai do të takohet gjithashtu me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s”, thuhet në njoftimin e Departamenti i Shtetit.

(r.m.)