James Rubin dëshmon në Gjykatën Speciale në Hagë: Thaçi nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët e UÇK-së

Hagë, 15 shtator 2025 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën vazhdoi procesi gjyqësor kundë ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqitd he Rexhep Selimit.

Në seancën e të hënës filloi paraqitja e dëshmive të dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e të akuzuarve.

I pari prej dëshmitarëve të mbrojtjes ishte ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i thirrur nga Hashim Thaçi, i cili ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në demilitarizimin e saj.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Ai tha se Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Ai, gjithashtu, deklaroi se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme. Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar demobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokati Mishetiq tregon përse është e rëndësishme dëshmia e James Rubin

Në fillim të seancës kryetari i trupit gjykues njoftoi se për dëshmitarin James Rubin kishte autorizuar masa të caktuara, sipas Rregullës 107, që ka të bëjë me autorizimin e dhënësit të informacionit. Ai tha se trupi gjykues nuk do të pranojë pyetje që nuk kanë të bëjnë me këtë rregull dhe me autorizimet që burojnë nga kjo rregull.

Kryesuesi njoftoi se mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar që në provat materiale të shtohet edhe një dokument që do të përdorë me dëshmitarin 0003. Ai tha se ZPS-ja kishte thënë se nuk është kundër kërkesës, ndonëse u është dërguar me vonesë, prandaj trupi gjykues e ka pranuar këtë dokument. Sipas trupit gjykues, ky artikull ka të bëjë edhe me rolin e Thaçit gjatë konferencës së Rambujesë dhe me rolin e tij në UÇK.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, shpjegoi arsyet që e kanë shtyrë ekipin mbrojtës të z. Thaçi të kërkojë që James Rubin të dëshmojë në këtë process gjyqësor. Ai ka thënë së Rubin ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në Konferencën e Rambujesë dhe ka pasur takime me Thaçin dhe me anëtarë të tjerë të UÇK-së.

“Ka pasur takime të shumta me Hashim Thaçin dhe me anëtarët e tjerë të UÇK-së. Kjo ia ka mundësuar zotit Rubin që të kuptonte se Thaçi ishte i shqetësuar që nuk do të kishte autoritetin ose lejen e plotë për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pa miratimin e anës ushtarake të UÇK-së”, tha ai.

Mishetiq tha se Rubin, gjatë procesit të demilitarizimit të UÇK-së, e kishte vërejtur se roli i Thaçit kishte kompetenca të kufizuara. Ai tha se Rubin ka konfirmuar se Thaçi e dëshironte një Kosovë në paqe dhe multietnike.

Rubin shpjegon ndërveprimet e tij me Thaçin

James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Rubin tha se nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, ishte angazhuar për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.

Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak dhe se nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.

Megjithatë, Rubin theksoi se Thaçi që në fillim kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Rubin tha se, në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright ishte takuar me Thaçin, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, për t’i inkurajuar që në terren të krijonin një strukturë të përbashkët dhe për të ndërtuar administratën civile, një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës.

Rubin rikujton takimin e fundit me Thaçin

Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Ai tha se ky takim ka ndodhur në vitin 2019.

Rubin tha se asokohet kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.

“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit me Thaçin.

Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Pikërisht këtë synova në punën time me të – t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.

Rubin rrëfen për ndërveprimet me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë

Rubin rrëfeu për takimin e tij të parë me Thaçin, gjatë Konferencës së Rambujesë për Kosovën. Ai tha se sekretarja Madeleine Albright e kishte udhëzuar të takohej me Thaçin dhe ta inkurajonte që të angazhohej për arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’. Dhe kështu bëra”, tha Rubin.

Ai shtoi se përpiqej që të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin dhe të diskutonte me të për çështjet e rëndësishme.

Rubin tregoi se asokohet Thaçi nuk fliste anglisht, prandaj gjatë bisedimeve ishin të pranishëm edhe përkthyesit diplomatikë.

Rubin tregon përse Thaçi refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje

Rubin tha se gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi ia kishte shprehur shqetësimin se ai nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së. Ai tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se udhëheqësi duhet të marrë vendime të vështira dhe kishte theksuar se pa nënshkrimin e marrëveshjes nuk do ta kishte mbështetjen e Perëndimit.

“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte ‘jo’”, u shpreh Rubin, duke shtuar se Thaçi “ishte nën presionin e komandantëve të UÇK-së.

Rubin shpjegoi se qëllim i Konferencës së Ramujesë ishte gjetja e një zgjidhje kompromisi që nuk do të përcaktonte statusin e Kosovës, gjë që do të vazhdonte në një fazë tjetër pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.

Ai shtoi se nënshkrimi i ndonjë deklarate që nuk e specifikonte pavarësinë do të konsiderohej tradhti e Thaçit.

“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai.

Rubin: Thaçi s’mund të diktonte rregulla dhe kushte brenda UÇK-së

Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, por ishte i detyruar të konsultohej me persona të tjerë për marrjen e vendimeve.

Ai tha se disa nga këta persona i konsideronte “ekstremistë”, të cilët, sipas tij, kërkonin veprime të menjëhershme, ndërsa Thaçi kishte një qasje më pragmatike.

“Ne e bindëm delegacionin shqiptar të Kosovës që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin”, tha Rubin.

Por, ai tha se komandantët e UÇK-së në terren po rezistonin, prandaj Sekretarja Albright i kishte kërkuar të shkonte në Kosovë për të siguruar nënshkrimin e Thaçit, të cilin e kishin autorizuar komandantët e UÇK-së.

“Kam qëndruar në Shkup dhe çdo mëngjes udhëtoja në male, për të takuar Thaçin dhe komandantët”, tha Rubin.

Ai shtoi se kur shumica vendosi të përqafonte mbështetjen e NATO-s dhe Perëndimit, grupet ekstremiste humbën ndikimin e tyre.

Rubin: Thaçi nuk kishte kompetenca të merrte vendime për çështje ushtarake të UÇK-së

Rubin tha se në fund të qershorit të vitit 1999 ishte në Kosovë për të ndihmuar komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, Gjeneralin britanik, Mike Jackson, dhe për të mbështetur procesin e demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se detyra e tij ishte të pasqyronte pikëpamjet e të gjithë aleatëve të NATO-s dhe të vendeve pjesëmarrëse në KFOR.

I pyetur për strukturën e UÇK-së, Rubin tha se ajo ishte e paorganizuar dhe e vështirë për t’u kuptuar. Ai tha se Thaçi ishte i ri dhe nuk kishte kompetenca të merrte vendime për aspektet ushtarake të UÇK-së.

Rubin tha se Thaçi i përfaqësonte qëndrimet e komandantëve të tjerë, ndërsa ata e informonin për qëndrimet e tyre.

“Hashimi nuk u thoshte komandantëve çfarë të bënin, por komandantët i thoshin atij”, tha ai.

Rubin i përshkroi edhe tensionet brenda UÇK-së, për shkak se disa komandantë kërkonin të ruanin nivelin maksimal të forcës ushtarake, ndërsa ndërkombëtarët synonin minimumin, për të lehtësuar demilitarizimin. Sipas tij, ky dialog i vështirë tregonte qartë se roli i Thaçit ishte më shumë politik se sa ushtarak.

“Unë këtë e përktheva si rol të një ministri të Jashtëm ose si rol politik”, tha Rubin.

Rubin për raportet mes Thaçit dhe komandantëve të UÇK-së

Rubin dëshmoi edhe për marrëdhënien e Thaçit me komandantët e UÇK-së, gjatë procesit të demilitarizimit.

Rubin tha se Thaçi, i ri në moshë krahasuar me komandantët e tjerë, duhet t’u drejtohej atyre për informacion dhe udhëzime mbi vendimmarrjet brenda organizatës.

Ai përshkroi një lloj distancimi të Thaçit nga komandantët, duke nënvizuar se edhe diferenca në moshë ndikonte në mënyrën se si ata komunikonin.

“Ata i thoshin atij [Thaçit} se çfarë përgjigje të jepte”, tha Rubin, duke theksuar se roli i Thaçit ishte më shumë politik dhe ndërmjetësues.

Rubin: Krasniqi kërkoi dërgimin e trupave tokësore

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin kujtoi një takim me Jakup Krasniqin në Bruksel, në prill të vitit 1999, duke e përshkruar si moment të vështirë për situatën e luftës në Kosovë.

“Krasniqi kërkonte masa që nuk mund të zbatoheshin, siç ishte dërgimi i trupave tokësore në Kosovë, për t’u kujdesur për sigurinë e civilëve”, tha Rubin.

Ai shpjegoi se presidenti amerikan, Bill Clinton, e kishte përjashtuar atëherë mundësinë e dërgimit të trupave tokësore.

“…sepse kjo do të thoshte se Clinton do të duhet të ndryshonte politikën e tij për të mos dërguar trupa tokësore”, tha Rubin.

Rubin: Nuk kisha dijeni për publikimin e emrave të udhëheqësve të UÇK-së në gusht 1998

Rubin u pyet nga një prokuror nëse ishte i informuar për publikimin e emrave të përfaqësuesve politikë të UÇK-së në gusht të vitit 1998, përfshirë Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Bardhyl Mahmutin dhe Sokol Bashotën. Duke u përgjigjur në këtë pyetje, ai tha se asokohe nuk kishte qenë në dijeni për këtë publikim.

Më pas, prokurori e pyeti nëse kishte dijeni për takimin e Shaun Byrnes, i cili e udhëhiqte Misionin Diplomatik të SHBA-së për Kosovën, me përfaqësues të UÇK-së në vitin 1998.

“Sa më kujtohet, nuk e kam njohur Hashim Thaçin para Konferencës së Rambujesë, më 1999”, tha Rubin, duke shtuar se “kanë kaluar 27 vjet nga ajo kohë”.

Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë lidhur me pretendimet për vrasje nga Thaçi dhe Krasniqi

James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se autoritetet amerikane nuk kanë pasur asnjë të dhënë apo provë që Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin e lidhin me vrasje dhe ekzekutime. Ai tha se as miqtë e tij që kanë punuar në agjenci të inteligjencës nuk i kanë dhënë informacione të tilla.

“Prej rreth 25 vjetësh, qyshkur jam larguar nga Qeveria, i kam pyetur të gjithë ata që kanë pasur informacion lidhur me keto pretendime dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë miqtë e mi që kishin informacione të inteligjencës nuk më kanë dhënë informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjërin prej drejtuesve të UÇK-së”, tha ai.

Rubin tha se niveli i dezinformimt në Ballkan ka qenë shumë i madh, kryesisht i ndikuar nga Rusia dhe Kina për qëllime të caktuara.

Rubin u pyet edhe për rastin “Panda” në Pejë. Ai tha se ky rast nuk i kujtohet konkretisht, por shtoi se incidente të tlla e të ngjashme kanë ndodhur. Ai tha se forcat serbe janë munduar që t’I fshehin krimet e tyre dhe ta fajësojnë UÇK-në.

Rubin pohoi se forcat serbe i kanë mbuluar krimet e tyre për t’i fshehur provat në mënyrë që të mos japin llogari pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, pra që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte.

Rubin tha se Qeveria e Serbisë nuk u përmbahej ligjeve të luftës, por forcat e saj vepronin si grupe kriminale.

“Është karakteristikë që e kemi parë në Bosnjë dhe ësjt përsëritur në Kosovë… Ata gjithmonë janë përpjekur që të fajësojnë UÇK-në… Kjo ishte mënyra që ata po e justifikonin atë që po bënin, duke ua hedhur fajin të tjerëve”, tha ai.

Rubin: Chritopher Hill nuk ishte i paanshëm, anonte nga LDK-ja

Rubin u pyet edhe lidhur me rolin e ish-ambasadorit Christopher Hill, i cili kishte marrë pjesë në Konferencën e Rambujesë, në cilësinë e të dërguarit special të Uashingtonit për Kosovën. Ai tha se Christopher Hill nuk ishte i paanshëm.

“Christopher Hill ishte i njëanshëm. Gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës e vëreja njëanshmërinë e tij në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës”, tha Rubin.

Sipas tij, Hill po bënte bërë përpjekje që ta dëmtonte figurën e tij, por edhe të sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

“Christopher Hill këtu -në Rambuje] po tregonte njëanshmëri, po përpiqej ta zvogëlonte rolin tim. Këtë e bënte në mënyrë të përsëritur. Ai po përpiqej ta zvogëlonte para gazetarëve edhe figurën e sekretares Albright, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar në Rambuje udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së, ndërsa në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë [Thaçin] si udhëheqës dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”, tha Rubin.

Rubin u pyet nëse sekretarja Albright e kishte inkurajuar të krijonte marrëdhënie me Thaçin gjatë Konferencës së Rambujesë, gjë që ai e pohoi, duke pranuar se “përqendrimi i tij ishte veçanërisht te Thaçi”.

Ai u pyet gjithashtu nëse i kishte dhënë këshilla Thaçit edhe për veshjen dhe Rubin mohoi, duke shtuar se kjo nuk ishte domosdoshmëri. Ai tha se ishte ambasadori Hill ai që kishte folur për këtë çështje.

James Rubin do të vazhdojë dëshminë e tij të martën. Sipas agjendës së kryesuesit të seancës, dëshmia e tij do të vazhdojë me pyetje të Prokurorisë, e cila përfaqësohet nga prokurori James Pace.

Prokurori Pace tha se atij i duhen 4 orë për pyetjet për dëshmitarin Rubin.

(r.m.)