Janjiq: BIA dhe Vuçiqi janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Beograd, 22 janar 2026 – Analisti politik Dushan Janjiq tha sot se Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i konsideron përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të vitit 2020.

Janjiq i tha agjencisë serbe “Beta” se pas fjalimit të djeshëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Davos, është absolutisht e qartë se në hetimin për manipulimin e zgjedhjeve është përfshirë edhe Beogradi.

“Deri më tani ka pasur disa njoftime për nisjen e një hetimi për vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane përmes rrjeteve sociale dhe se një adresë IP nga Serbia është përdorur për fushatën kundër Trumpit. Kjo nuk është konfirmuar deri më tani, por tani, pas fjalimit të djeshëm të Presidentit Trump në Davos, është absolutisht e qartë se hetimi është duke vazhduar dhe se ai përfshin edhe Beogradin”, tha ai, citon gazeta “Danas”.

Sipas Janjiqit, në SHBA ka diçka që “politikanët dhe ekspertët gjysmë të arsimuar të BIA-s në Serbi e kanë nënçmuar”.

“Në SHBA ekziston Agjencia Kombëtare e Sigurisë që e kontrollon sigurinë kibernetike, veçanërisht në situata që prekin interesat dhe demokracinë amerikane. Nëse rezulton e vërtetë, dhe ne nuk kemi arsye të dyshojmë se Trump po shpik gjëra, duhet të presim ndjekje penale të të gjithë personave që kanë marrë pjesë në manipulimin e zgjedhjeve amerikane. Nuk e përjashtoj mundësinë që BIA e ka bërë këtë përmes ndonjë agjencie private, por të lidhur ngushtë me qeverinë dhe me konceptin e luftës kundër revolucionit me ngjyra”, tha Janjiq.

“Mendoj se në këto manipulime ka marrë pjesë një numër pnjerëzish që tani kanë filluar të largohen nga maja e BIA-s, por kjo nuk do t’i shpëtojë ata”, shtoi ai.

“Shtrohet pyetja se sa larg do të shkojë hetimi dhe nëse ai do ta përfshijë edhe Aleksandar Vuçiqin, i cili kontrollon gjithçka në Serbi. Kjo do ta vinte Vuçiqin në situatë shumë të vështirë, sepse kjo do të tregonte se një shtet [Serbia] kryen një veprim kibernetik kriminal kundër një shteti tjetër, në këtë rast kundër SHBA-së për pozitën e presidentit. Prokurori amerikan do të vendosë se kush do të përfshihet në ndjekjen penale”, theksoi analisti.

Janjiq i cilësoi si “dërgim uji në mullirin e Vuçiqit” pretendimet se kompania serbe “Roaming Networks” qëndron pas manipulimit të zgjedhjeve në SHBA.

” Në atë hetim duhet të përfshihet Departamenti për luftën kundër krimit kibernetik i Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Derisa të vërtetohet se në BIA nuk ka ekip për luftën kundër revolucionit me ngjyra, ndërsa Aleksandar Vulin ka thënë se ka, unë e konsideroj BIA-n përgjegjëse për pjesëmarrjen në manipulimin e zgjedhjeve amerikane në kuptimin operativ, ndërsa Aleksandar Vuçiqi në kuptimin politik dhe kriminal”, theksoi Janjiq.

Dje, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se së shpejti do të fillojnë ndjekjet penale lidhur me manipulimet në zgjedhjet e vitit 2020.

“Njerëzit së shpejti do të ndiqen penalisht për atë që bënë. Ishin zgjedhje të manipuluara”, tha Trump.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Trump e kishte lidhur me trukimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA të vitit 2020 kompaninë serbe “Dominion voting systems”.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump kishte shpërndarë njoftimin se Elon Musk kishte arritur të parandalonte manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2024 duke i çaktivizuar kompjuterët e kompanisë së lartpërmendur në Serbi.

Në vitin 2020, Donald Trump i kishte humbur zgjedhjet presidenciale nga Joe Biden, por qysh në natën e zgjedhjeve ai kishte thënë se demokratët i kishin vjedhur zgjedhjet në 28 shtete, në të cilat ishin përdorur makinat elektronike të votimit dhe pajisjet optike të numërimit të votave të kompanisë “Dominion Voting Systems”.

Selia qendrore e kësaj kompanie është në Kanada, por ajo ka degë për zhvillimin e softuerëve në SHBA, në Kanada dhe në Serbi, kurse në tregun serb është e pranishme prej vitit 2011.

Faqja amerikane e internetit “Stolen elections facts” kishte njoftuar asokohe se “Dominion Voting Systems” e kishte hapur qendrën e saj të të dhënave në Beograd, përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, të njohur edhe si “Dot networks”, e cila operon gjithashtu në tregun amerikan.

(Danas)