Shqipëria, vendi ku ata që vidhen adhurojnë ata që i vjedhin
Ruben Avxhiu
Si mund të ndërtosh një shtëpi e pasuri 75 milionë dollarëshe me një rrogë politikani prej 2 mijë dollarësh në muaj?
Misterin mund ta zgjidhë vetëm Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç që është rrëzuar nga revolta popullore dhe ndodhet i kërkuar në arrati, ndërkohë që populli ka vërshuar në “sarajet” e tij, me të njëjtin kuriozitet me të cilin lëshohen gjithnjë për të parë se si kanë jetuar ata që i kanë qeverisur. E njohin këtë temë edhe shqiptarët, që nga “Krevati i Perandorit” në kohën kur pushtetin e morën komunistët te rrugët e Bllokut kur këta të fundit ranë vetë nga pushteti.
Po Janukoviç është më shumë një personazh i kohës sonë. Një politikan i zgjedhur president nga vala e dëshirës për ndryshime. Miliona njerëz brohoritën për të dhe e ngjitën në politikë. Mirëpo, në pak vite, ai ishte bërë thjesht cari i ri ukrainas. Në një vend, ku 35% e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë, presidenti i tyre paguante 100 mijë dollarë për çdo llambadar. Vetëm në 18 muajt e fundit, kishte shpenzuar rreth 9,5 milionë dollarë vetëm për mobilimin e shtëpisë së tij.
Rrëzimi i tij është ndjekur nga media e gjithë botës dhe një pjesë e vëzhguesve që i kanë ndjekur me ftohtësi ngjarjet thonë se ukrainasit po nxitohen duke kujtuar se rrëzimi i Janukoviçit do t’u hapë vërtet dyert e Bashkimit Europian, apo kujtojnë se Rusia do të qëndrojë mënjanë pas kësaj përmbysjeje.
Ata që shkruajnë kështu duket se nuk kanë vënë re se rrëzimi i Janukoviçit është një akt më vete që ka vlerë pavarësisht se çfarë vjen pas. Nuk kanë vënë re mesazhin e rëndësishëm për të gjithë Janukoviçët në vendet e tjera ish-komuniste të Lindjes.
Shqipëria nuk bën përjashtim. Shqiptarët vazhdojnë përpiqen t’ia hedhin njëri-tjetrit në betejat politike për një vend pune, për një licencë biznesi për një tender kontrate. Po çfarë ka në xhepat e politikanëve të tyre, mbetet një mister.
Sigurisht, politikanët shqiptarë janë bërë më të kujdesshëm. Nën presionin e Bashkimit Europian, ata druhen të bëjnë publik luksin e tyre. Në vend të tyre, janë njerëzit e afërt ata që përfitojnë ekonomikisht e që kujdesen pastaj për ta.
Shqiptarët e bëjnë shumë pak lidhjen mes varfërisë së tyre dhe pasurimit të njerëzve të lidhur me pushtet politik. Është e habitshme sesa normale dhe e natyrshme duket procesi i përvetësimit nga pasuria e përbashkët. Në ato raste të rralla kur një ish-politikan është zbuluar se është i pasur e se i fsheh paratë në banka jashtë vendit, admirimi për aftësitë e tij përfituese ka qenë shumë më i fortë sesa neveria dhe revolta. Të vjedhurit në vend që të tërbohen janë mrekulluar nga ai që i ka vjedhur.
Në vend që ta dënojnë e ta rivarfërojnë, duke ia kthyer përfitimit pasurisë së përbashkët, shumë prej të vjedhurve duket se ëndërrojnë një ditë kur edhe ata të veprojnë si ai. Demokracia shihet prej tyre si shansi që gjithsekush mund të ketë mundësinë një ditë që të vjedhë të tjerët. Një lloj lotarie imorale që qarkullon në pozitat përkatëse ata që vjedhin dhe ata që vidhen.
Debatet për kreun e komisionit që kontrollon pasuritë e zyrtarëve dëshmon sesa politik mbetet ai proces dhe na kujton se sa kohë që ky institucion varet nga politika nuk mund të pritet që të ketë fuqi të mjaftueshme për të zbuluar sesa po e mjelin vërtet shtetin shqiptar drejtuesit politikë të tij.
Mbi të gjitha, në një shoqëri ku grabitja është kthyer në normë, ajo që rezulton është thjesht hierarkia e përvetësimit. Sa më shumë ngjitesh aq më shumë të rëndojnë xhepat. Për ndërgjegje nuk bëhet më fjalë.
Kontrollimi është gjithnjë e më i vështirë sot, kur lidhjet miqësore e familjare dhe jo llogaritë bankare me emër të politikanëve duhet të jenë nën mikroskop.
Kur përpara disa ditëve, kryeministri aktual shqiptar kërcënoi me sjelljen e një prokurori të huaj, e vetmja gjë që mendova është paaftësia e shoqërisë shqiptare për të prodhuar arbitra realisht asnjanës, në asnjë fushë të jetës. Politika nuk ka si të jetë përjashtim.
Po loja e vjedhjes nuk mund të vazhdojë përjetë. Karuseli i grabitjes fillon të vonohet dhe njerëzit edhe ata që kanë pranuar normat e imoralit pushtohen nga zhgënjimi, nga ndjenja e padrejtësisë dhe nga revolta. Varfëria dhe padrejtësia ekonomike mund të maskohet në shifrat zyrtare e në fjalimet e politikanëve, por jo në jetën e përditshme. Pas borxheve të papagueshme të marra nga një qeveri në tjetrën, bankave e shteteve të huaja, biznesit vendas, apo qytetarëve taksapagues, vjen një moment kur perdja bie dhe zbulohet realiteti i frikshëm i një vendi të vjedhur pa mëshirë nga njerëz që paratë e tyre i kanë nxjerrë me miliarda drejt bankave të ishujve pa taksa e pa kontrolle.
Shqiptarët që lexuan me mospërfillje, para disa muajve, lajmin e arratisjes së miliardave nga vendi i tyre, nuk e kuptojnë se vjedhja nuk është vetëm ajo kur dikush të fut dorën në xhep në autobus, apo ta vesh me levë kokës te hyrja pa drita e pallatit. Vjedhja më e tmerrshme është ajo e politikanëve për të cilët digjen e përgjërohen; vjedhje që rrënojnë të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve të tyre. Ka borxhe ky vend që do të duhen breza për t’i larë, e pasuri publike që duhej të kishin ushqyer vendin e shoqërinë në kohët e vështira ekonomike që do të vijnë si kudo tjetër në botë.
Rasti i Ukrainës, kur situata vjen në skaj, janë më të rralla. Zakonisht njerëzit mjaftohen duke ia nxjerrë mllefin e dufin politikanit të fundit në qeveri, atij që i bie llotaria e keqe, ajo e pagimit të fajeve të paraardhësve. Por në lojën e mashtrimit me paratë e shqiptarëve janë fajtorë edhe ata që vidhen, ata që një ditë do të ngrihen “me sfurqe e pishtarë” për të kërkuar përgjigjet që me kohë i kanë pasur përpara syve e kanë refuzuar t’i lexojnë.