Japin dorëheqje kryetari dhe një anëtare e Bordit të RTK-së

Prishtinë, 17 gusht 2024 – Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, dhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha, njoftuan se kanë dhënë dorëheqje nga këto pozita të shtunën, më 17 gusht.

Ata thane se kanë dhënë dorëheqje për shkak se në menaxhmentin dhe në bordin e RTK-së nuk ka vullnet të merren në pëgjegjësi personat përgjegjës për publikimin e një artikulli të portalit boshnjak “Slobodna Bosna” në të cilin përmenden në kontekst negative dy portale të Kosovës.

Boletini njoftoi përmes Facebookut se që prej publikimit të atij shkrimi ka pasur përpjekje të adresohet çështja e përgjegjësisë së personave përgjegjës, por në RTK nuk ka pasur vullnet të bëhet kjo, ndonëse komisioni profesional ka konstatuar se publikimi ishte në kundërshtim me standardet dhe etikën profesionale.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkroi Boletini në Facebook.

Ai ka thënë se në bord është kërkuar të emërohet një ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm dhe të shpallet konkursi për drejtor të ri, por nuk ka pasur vota të mjaftueshmer për miratimin e këtij propozimi.

“Që nga publikimi i atij artikulli, plani i disa anëtarëve të bordit ishte i qartë, mos të ketë ndëshkim atë ditë”, ka thënë Boletini.

Ai ka shpjeguar se disa anëtarë të Bordit “kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim”.

Edhe Arta Berisha ka thënë se për të është e papranueshme që shkelësit e standardeve profesionale “të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së”.

“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”, shkroi ajo në Facebook.

Në artikullin e “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të publikuar në korrik, supozohej se disa media në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të partisë në pushtet.

Pas publikimit të një pjese të artikullit të portalit serb në RTKlive dhe në RTK, Bordi i RTK-së u mbodh më 23 korrik dhe shprehu shqetësim për publikimin e “artikullit kontrovers në RTK.

Bordi e kishte cilësuar publikimin e tij si “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Për këtë çështje ishte formuar një komision.

Më 24 korrik, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së.

RTK është transmetuesi i vetëm publik në Kosovë që funksionon në bazë të një ligji të ve që funksionon në bazë të një ligji të veçantë. Sipas atij ligji, RTK financohet nga Kuvendi i Kosovës.

(r.m.)