Jared Kushner: Çfarë po planifikon dhëndri i Trumpit në Ballkan?

Michael Martens

Një projekt i mundshëm investimi i dhëndrit të Donald Trumpit, Jared Kushner, në Serbi dhe në Shqipëri ka ndezur debate të gjalla, veçanërisht në Beograd. Të premten, Kushner konfirmoi për New York Times planet, të cilat gazeta i përdori si bazë për një raport gjithëpërfshirës mbi projektin. Kjo shkaktoi  reagime të qarta nga qeveria serbe gjatë fundjavës.

“New York Times” raportoi se në Beograd bëhet fjalë për ndërtimin e një hoteli dhe një godine me “1500 njësi banimi”, ndërsa në Shqipëri bëhet fjalë për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdetin e Mesdheut. “Jemi shumë të emocionuar. Ne nuk i kemi bërë ende këto marrëveshje, kështu që ato mund të mos ndodhin, por ne kemi punuar shumë për to dhe jemi shumë afër”, citohet të ketë thënë Kushner nga gazeta.

Sipas raportit, në negociatat për marrëveshje ka marrë pjesë edhe ish-ambasadori i Trumpit në Gjermani dhe përfaqësuesi i tij për Ballkanin, Richard Grenell. Trump e kishte emëruar Grenellin si “të dërguar special të tij në negociatat paqesore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” në vitin 2019. Në atë kohë, Grenell krijoi kontakte të mira me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ai nuk e fsheh faktin se ka dashur t’i materializojë këto marrëdhënie pas largimit të tij nga politika: “Askush nuk duhet të kërkojë kurrë falje që dëshiron të fitojë para”, ka thënë Grenell, në një intervistë në Shqipëri mbi planet e tij në rajon.

Për Ramën dhe Vuçiqin, mbështetja e dëshirave të tilla mund të rezultojë e dobishme politikisht në qoftë se Trump bëhet përsëri president – veçanërisht nëse ai e merr Grenellin në ekipin e tij. Kur Grenell ishte i dërguar i Trumpit për Ballkanin, Rama, Vuçiq dhe më pas Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishin në prag të ndarjes së Kosovës nga këndvështrimi i Qeverisë së Kosovës. Sipas marrëveshjes së planifikuar asokohe e cila u banalizua si “shkëmbim territoresh”, veriu i Kosovës do t’i takonte Serbisë ndërsa jugu do t’i kthehej Shqipërisë.

Asokohe u parandalua një marrëveshje e rrezikshme

Po të arrihej atëherë kjo marrëveshje, ajp mund të kishte shënuar fillimin e ndryshimeve të mëtejshme të rrezikshme të kufijve, të cilat ishin shkaku kryesor i luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por, kjo marrëveshja dështoi asokohe, jo vetëm për shkak të rezistencës së Gjermanisë dhe kancelares së saj Angela Merkel. Marrëdhëniet e mira me Presidentin e ardhshëm eventual të Shteteve të Bashkuara mund t’u hapin rrugë Ramës dhe Vuçiqit për të rinovuar planet e tyre të atëhershme.

Në planin e brendshëm, planet [e Kuashnerit] ngjallin emocione në Serbi, sepse në fokus të projektit investiv është ndërtesa e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, e cila ishte bombarduar gjatë sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, në 1999. Kjo është e vetmja ndërtesë e madhe në Beograd që ishte shkatërruar atëherë që ka mbetur rrënoja. Në anën tjetër të rrugës gjenden Ministria e Punëve të Jashtme dhe ndërtesa e Qeverisë së Serbisë, kështu që rrënojat prej 50,000 metrash katror hapësirë të shfrytëzueshme janë një lokacion i shkëlqyeshëm. Kjo ndërtesë është ndërtesë e mbrojtur, por në pamjet e publikuara nga Kushneri shihet se ajo ka pak ngjashmëri me pamjen origjinale të ndërtesës.

Megjithatë, Qeveria serbe reagoi ashpër ndaj planeve të investimeve të promovuara nga Kushneri. Ministri i Infrastrukturës, Goran Vesiq, duke iu përgjigjur raportit të New York Times, këtë fundjavë, deklaroi se për projektin e pasurive të paluajtshme janë paraqitur disa aplikime. Por, deri më tani nuk është nënshkruar asnjë letër qëllimi e lëre më ndonjë kontratë obliguese.

“Se a do të ndodhë kjo varet nga ajo se a mund të arrijmë një marrëveshje me partnerët e mundshëm. Në qoftë se nuk mund të biem dakord, nuk do të ketë kontratë”, citohet ministri nga mediet serbe. Nga ana tjetër, portalet pro-qeveritare tashmë e kanë promovuar projektin investiv dhe kanë raportuar me tone pozitive, gjë që sugjeron se më e rëndësishme është projekti të miratohet nga presudenti Vuçiq. Me pëlqimin e tij, nuk do të ishte më pengesë për investitorët çfarëdo kundërshtimi nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve, sepse organet e kontrollit të shtetit në Serbi janë vetëm fasadë, në qoftë se nuk përputhen me vullnetin e presidentit.

Një politikan opozitar serb kishte deklaruar më parë se Vesiq e kishte nënshkruar një memorandum ose së paku se ishte autorizuar nga qeveria për të nënshkruar një letër qëllimi, sipas së cilës një kompani amerikane e quajtur “Kushner Realty”, e regjistruar në Delaware dhe e themeluar në mars 2022, si edhe një kompani tjetër e quajtur “Atlantic Incubation Partners” janë lejuar të zhvillojnë prona në Beograd. Vesiq e hodhi poshtë këtë, por gjithashtu theksoi se, një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, Qeveria e Serbisë nuk ka në plan të presë edhe 25 vjet të tjera për të shfrytëzar pronat në një lokacion të shkëlqyeshëm.

(“Frankfurter Allgemeine Zeitung”)