Jean-Noel Barrot thotë se Franca është e vendosur ta njohë shtetin palestinez

Paris, 20 maj 2025 – Franca është “e vendosur” ta njohë një shtet palestinez, ka thënë të martën ministri i saj i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, teksa e ka dënuar Izraelin për situatën e “pajustifikueshme” në Gazë, të krijuar nga fushata ushtarake dhe nga bllokada e saj humanitare.

Kryediplomati francez ka thënë, po ashtu, se Parisi mbështet një iniciativë të udhëhequr nga Holanda për një rishikim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Izraelit, e cila mund t’i prekë marrëdhëniet politike dhe ekonomike.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një konferencë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit të kaluar, e ka lënë të hapur mundësinë që Franca të bëhet vendi evropian i radhës që e njeh një shtet palestinez.

“Ne nuk mund t’ua lëmë fëmijëve të Gazës një trashëgimi dhune dhe urrejtjeje. Prandaj, e gjithë kjo duhet të ndalet, dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi të vendosur ta njohim një shtet palestinez”, ka thënë Barrot për radiostacionin France Inter.

“Dhe, unë jam duke punuar aktivisht për këtë, sepse ne duam të kontribuojmë për një zgjidhje politike në interes të palestinezëve, por edhe për sigurinë e Izraelit”, ka shtuar ai.

Barrot ka folur pasi Presidenti Macron iu bashkua deklaratës së përbashkët të kryeministrit britanik, Keir Starmer, dhe kryeministrit kanadez, Mark Carney, e cila e zemëroi Izraelin.

 “Ne nuk do të rrimë duarkryq” thuhej në deklaratë, ku paralajmëroheshin edhe “veprime të mëtejme konkrete” ndaj Izraelit nëse vazhdon bllokimi i ndihmave humanitare për popullsinë palestineze në Gazë.

“Jemi të vendosur për njohjen e një shteti palestinez”, thuhej në deklaratë.

I pyetur se çfarë do të mund të përfshinin këto veprime, Barrot përsëri i bëri thirrje BE-së për aprovim të kërkesës holandeze për rishikimin e marrëveshjes ndërmjet Izraelit dhe bllokut dhe, në veçanti, për hetimin e shkeljeve të mundshme të marrëveshjes nga ana e Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka alejuar futjen në Gazë të një sasie të kufizuar të ndihmave humanitare, pas bllokadës totale prej mbi dy muajsh e gjysmë.

Barrot ka thënë se kjo është “absolutisht e pamjaftueshme” duke qenë se popullsia e Gazës po përballet me situatë katastrofike humanitare.

“Bllokimi i ndihmës humanitare nga qeveria izraelite e ka shndërruar Gazën në një kurth vdekjeje, nëse jo një varrezë”, ka thënë ministri i Jashtëm francez.

Ai e ka paralajmëruar Izraelin se operacionet ushtarake prodhojnë më shumë dhunë.

“Kur mbjell dhunë, korr dhunë”, ka theksuar ai.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë bëri të ditur se gjatë ofesnsivës izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 53.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

(r.m.)

Comment

*