Jemi një komb i krijuar nga alfabeti

Skender ASANI

Jemi shndërruar në model të një institucioni që arrin t’i shkrijë, unifikojë e përbrendësojë të gjitha virtytet e homo balkanikusit, duke gjetur gjuhën e komunikimi jo vetëm ndërmjet vete si shqiptarë, madje as vetëm me shqiptarët e rajonit, por edhe me bashkëqytetarët tanë të komuniteteve të tjera etnike e religjioze.

Skender ASANI

U bënë saktë 115 vjet qëkur në Manastir u publikua lajmi i Komisionit të Kongresit se ata ishin dakorduar që prej atij çasti e këndej shqiptarët ta shkruajnë gjuhën e tyre me alfabetin latin. Filologët i kanë shpjegimet e tyre, se kështu u zgjidh problemi i shkrimit të shqipes në korpusin e gjuhëve indoeuropiane, politologët i kanë interpretimet e tyre, se kështu shqiptarët zgjodhën të jenë në anën perëndimore të historisë, historianët i kanë artikulimet e tyre, se kjo ishte një rrjedhojë e angazhimit të lëvizjes sonë kombëtare, sociologët i kanë trajtimet e tyre, se kështu po përvijohej nacionalizmi shqiptar, por e vërteta e të vërtetave është se ky Kongres po e unifikonte një komb, po e trajtësonte një gjuhë dhe po e lindte një kulturë.

Prandaj, shumë të nderuar pjesëmarrës të këtij solemniteti, 22 nëntori nuk është një kremte dosido për një ngjarje periferike dhe për një vendim për çështje teknike e praktike. Nëse nuk do të tingëllonte si ekzagjerim, do të pohoja se pikërisht më 22 nëntor iu vu emri kombit tonë. Kishin kaluar disa shekuj nën sundimin osman dhe ndarjet në vilajete të ndryshme, por edhe ndarjet e brendshme krahinore, dialektore e religjioze, kishin prodhuar një gjendje heterogjene të kombit. Andaj, Kongresi i Alfabetit ishte çasti i rinjohjes dhe krijimit të indit lidhor të një kombi që kriter të unitetit do ta kishte pikërisht alfabetin, rrjedhimisht gjuhën shqipe, prej së cilës edhe derivoi emri shqiptar.

E kur jemi në këtë ditë, ajo që duhet theksuar e që nuk është më pak e rëndësishme është se kjo ditë është festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Madje, përveç kësaj, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ndahet çmimi shtetëror “22 Nëntori” dhe kjo ditë çdo vit po shndërrohet në festën më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoni. E që pesha e kësaj feste të jetë edhe më e madhe, ashtu si sivjet, secilin vit është Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ajo që në mënyrë institucionale i qaset kremtimit të saj, duke u bërë partner i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve për organizimin e manifestimit “Ditët e alfabetit”. Ndonëse qeveria kështu shpreh respektin dhe detyrimin e saj kundrejt shqiptarëve, megjithatë si drejtues i këtij institucioni do të doja t’i falënderoj për këtë bashkëpunim. 

E kur jemi te mirënjohjet, ajo që dua ta vë në spikamë sot është edhe një moment shumë i rëndësishëm për ne. Sivjet, për herë të parë, në “Ditët e alfabetit” i bëmë bashkë tre akademitë e shkencave të rajonit tonë, të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo përveçse simbolikë e mirë, është edhe një ogur i mirë se cila është perspektiva jonë si shtete, si popuj dhe si klasë akademike. Duke i lënë prapa nesh ndarjet dhe paragjykimet e së kaluarës, ne në këto “Ditë të Alfabetit” u bëmë bashkë duke i folur njëri-tjetrit në gjuhën e shkencës dhe të prodhimtarisë shkencore e kulturore. Zaten, kjo është “esperantoja” e Ballkanit tonë. Natyrisht, jo më pak të rëndësishme ishin edhe institucionet e tjera që na nderuan, dhe kjo bëri që ne për  disa ditë të bëhemi një fole akademike e vlerësimit dhe promovimit të veprimtarisë shkencore të ndërsjellë.

Kulminacioni dhe madhështia e ditëlindjes së alfabetit përplotësohet edhe me ditëlindjen e Institutit tonë. Në këtë 16-vjetor të themelimit, ne, pa modesti, mund  themi se jemi shndërruar në model të një institucioni që arrin t’i shkrijë, unifikojë e përbrendësojë të gjitha virtytet e homo balkanikusit, duke gjetur gjuhën e komunikimi jo vetëm ndërmjet vete si shqiptarë, madje as vetëm me shqiptarët e rajonit, por edhe me bashkëqytetarët tanë të komuniteteve të tjera etnike e religjioze, ndërsa pa e tepruar do të themi se ne prijmë pikërisht në afirmimin e tolerancës, gjë që nuk i ka ikur as vlerësimit të institucioneve relevante ndërkombëtare, siç është Departamenti i Shtetit Amerikan, që për ne është mirënjohje e veçantë dhe inkurajim se në cilën rrugë duhet të ecim. Një vlerësim i tillë e ka shtuar edhe më tepër garancinë e të qenit të Instituti tonë një faktor ndërgjegjësimi qytetar, pikërisht në kohën kur nga rajone të ndryshme të botës vijnë lajme të këqija të prishjes së raporteve në mes të shteteve dhe popujve.

Prandaj, duke shënuar 115-vjetorin e festës së alfabetit, në përmbyllje të edicionit të pestë të manifestimit tonë tradicional shkencoro-kulturor “Ditët e alfabetit”, si dhe përvjetorin e 16-të të themelimit të Institutit tonë, sigurisht që kjo ngjarje nuk është vetëm solemne, por edhe një shkollë që na ligjëron përbotshëm për rëndësinë e çastit dhe vendimeve që janë marrë në Kongresin e Manastirit.

Që këtu dëshiroj t’ua uroj të gjithë shqiptarëve ditëlindjen e 115-të të alfabetit, t’ua uroj kolegëve të mi ditëlindjen e 16-të të Institutit dhe t’i falënderoj të gjithë të tjerët që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë iu bashkuan këtij edicioni të “Ditëve të alfabetit” dhe sot kësaj feste.

Rruga jonë vazhdon, sepse ne – siç e thashë në hapje të këtij edicioni –  jemi një komb i krijuar nga alfabeti dhe jemi një institucion i krijuar në Ditën e Alfabetit.

(Fjalë e mbajtur në përmbyllje të edicionit të pestë të manifestimit shkencoro-kulturor “Ditët e alfabetit”, më 22 nëntor 2023)