Jessen-Petersen është skeptik se sivjet mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 14 shkurt 2024 – Ish-shefi i Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Soren Jessen-Petersen, ka folur për procesin e dialogut me Serbinë dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për Telegrafin, Jessen-Petersen, i cili mbikëqyri periudhën fillestare të përgatitjeve për statusin e Kosovës, ka thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE), “është e vetmja rrugë përpara”.

Por, ai ka thënë se është skeptik se marrëveshja nmidis Kosovës e Serbisë mund të arrihet gjatë këtij viti, për shkak të lidershipit aktual politik në Serbi.

“Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, duke pasur parasysh lidershipin aktual politik në Serbi”, ka thënë ai.

Ai i ka bërë thirrje BE-së të përdorë “si karotë dhe si shkop” integrimin e Kosovës dhe Serbisë në familjen evropiane.

Jessen-Petersen ka thënë se mbështetja e SHBA-së për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës është faktor kyç për pëerfundimin me sukses të këtij procesi.

Duke folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumiocë serbe në Kosovë, Jessen-Petersen ka kujtuar se ky asociacion ka qenë pjesë e pakos së Ahtisaarit, pork a shprehur shqetësimin për thellimin e ndasive etnike, të cilat, siç është shprehur nai, “mund të thellohen edhe më shumë nga kundërshtimet e opozitës dhe nga politikat e Beogradit.Për këtë arsye, ai e vlerëson të nevojshme që Qeveria e Kosovës të bëjë më shumë për integrimin e serbëve.

“Kosova duhet të bëjë më shumë për të integruar serbët, të cilët duhet të ndihen si pjesë e vendit, në mënyrë që të shmanget ndikimi i vazhdueshëm i Beogradit,” ka thënë ai.

Jessen-Petersen u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të mos marrin si të mirëqenë mbështetjen e aleatëve dhe të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Zoti Jessen-Petersen, Ju keni qenë prej përfaqësuesve të Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, ndërmjet viteve 2004 dhe 2006, mund të na jepni një pasqyrim nga prizmi juaj, sa ka pasur progres Kosova këto vite?

Jessen Petersen: Kur erdha në gusht të vitit 2004, bisedimet për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës as që kishin filluar, kur u largova në qershor të 2006 bisedimet për statusin ishin duke u zhvilluar. Sot Kosova ka më shumë se 15 vjet që është e pavarur dhe ende e ndërton vendin. Përparimi mund të jetë i ngadalshëm ndonjëherë, por drejtimi përpara është i qartë dhe i pakthyeshëm.

Telegrafi: Vite më parë ju keni thënë se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë, a ka ndodhur kjo tani?

Jessen Petersen: Përsëri, progresi duket i ngadaltë. Kjo do të ndodhë, por ekziston rreziku që shumë biseda, shumë pak veprime dhe shumë grindje e grindje politike mes pushtetit do të dekurajojnë të rinjtë të hyjnë në politikë. Shpresoj se nuk do të jetë kështu.

Telegrafi: Si e shihni procesin aktual të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Jessen Petersen: Dialogu është e vetmja rrugë përpara – nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe në konsultime të ngushta me SHBA-në. BE-ja e përdor integrimin në familjen evropiane si karotë ashtu edhe si shkop dhe SHBA-ja nuk lëkundet me një zë të vetëm mbështetjen e procesit.

Telegrafi: A besoni se do të arrihet ndonjë marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit?

Jessen Petersen: Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë, duke pasur parasysh lidershipin aktual politik në Serbi.

Telegrafi: Tashmë ekziston një draft-statut për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe në Kosovë, por ka kundërshtime edhe nga opozita për përmbatjen e Asociacionit në disa pika…

Jessen Petersen: Asociacioni me të drejtë ishte pjesë e marrëveshjes së Ahtisaarit. Institucionet kosovare duhet të bëjnë më shumë për serbët në aspektin e ndjenjes së përkatësisë në Kosovë, ndërkohë që duhet të kujdeset po ashtu për lëvizjet e vazhdueshme destabilizuese të Beogradit, duke mbajtur shumë serbë në Kosovë peng të politikës së tyre destabilizuese në Kosovë.

Telegrafi: Kosova përballet me sanksione nga Bashkimi Evropian për shkak të situatës së mëhershmë në veri. Kryeministri Albin Kurti, vazhdon të bëjë thirrje për largimin e këtyre masave, duke i quajtur të padrejta, ndërkohë BE-ja thotë se ende nuk janë krijuar kushtet…

Jessen Petersen: Unë nuk jam në dijeni të ndonjë hezitimi nga BE-ja dhe nuk i kuptoj arsyet pse BE-ja po vepron me sanksione. Në anën tjetër, politikanët kosovarë, përderisa nuk bëjnë kompromis me pavarësinë e tyre, duhet të jenë më të kujdesshëm që të mos antagonizojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre dhe të mos e marrin këtë mbështetje si të mirëqenë.

Telegrafi:  Si e shihni Kosovën në aspektin e përparimit ekonomik dhe social, nga viti 2006 që keni qenë kryeadministrator, e gjerë me tani?

Jessen Petersen: Progresi duket të jetë i ngadaltë, por përgjegjësia për këtë është një faktor i rrethanave ekonomike rajonale dhe globale dhe klimës ende të tensionuar politike në rajon, ndërkohë që edhe politikanët mund të jenë pjesë e fajit. Megjithatë, vendimi i fundit për liberalizimin e vizave mund të ndihmojë për të rritur shpejtësinë dhe thelbin e përparimit në këto fusha.

Telegrafi: Ish-udhëheqësit e UÇK-së vazhdojnë të gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale. A besoni se është duke ndodhur gjykim i drejtë?

Jessen Petersen: Unë sigurisht që do të doja të besoja se do të ketë një gjykim të drejtë dhe nuk kam arsye të dyshoj për këtë. Në të njëjtën kohë, më vjen keq që procesi ka qenë shumë i ngadaltë dhe vazhdon të jetë i tillë.

Telegrafi: Kur do ta vizitoni Kosovën? A keni ndonjë plan?

Jessen Petersen: Shpresoj të vizitoj Kosovën në të ardhmen e afërt.

(r.m.)