Vështrim mbi librin “Skena dhe prapaskena” të Prof. Dr. Lufter Xhuvelit
Nga Fuat Memelli

Ndër miqtë që takova gjatë qëndrimit në Shqipëri ishte edhe Prof. Dr. Lufter Xhuveli. Megjithëse i ka kaluar të tetëdhjetat, ai vazhdon të jetë energjik dhe zotëron një kujtesë të kristaltë. Me qartësi dhe saktësi riprodhon ngjarjet e jetës së vet. Krahas librave dhe referateve kushtuar problemeve shkencore të bujqësisë, vitet e fundit ai ka hyrë në një “shteg” tjetër: në atë të kujtimeve dhe reflektimeve. Pas librit “Fletë nga ditari i një agronomi”, ku rrëfen bukur edhe pasionet poetike të rinisë së tij të mundimshme, vjen para lexuesit me librin mbresëlënës “Skena dhe prapaskena”, të cilin pata kënaqësinë ta merrja me dedikim nga autori.
Është një libër nëpër faqet e të cilit rrjedhin kujtime dhe përjetime, ku ngjarjet rrëfehen përtej kuintave politike dhe ku lexuesi njihet me një Lufter Xhuveli që, ndoshta, nuk ka pasur mundësi ta njohë më parë.Kjo vepër memorialistike përbën një kontribut me vlerë për letërsinë dokumentare shqiptare. Ajo është njëherësh histori dhe përvojë, realitet i mbushur me sfida dhe të papritura, të cilat e befasojnë lexuesin. Autori risjell jetën e vet dhe kohën në të cilën bashkëjetuam me një qartësi dhe vërtetësi të admirueshme, aq sa, kur arrin në fund të librit, të lind natyrshëm mendimi: “Tani po e njoh Xhuvelin e vërtetë.”
Autori, njëherësh edhe protagonist i zhvillimeve politike shqiptare për disa dekada, i ka bërë librit një dedikim të veçantë. Ai bëhet, si të thuash, edhe zëri i miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, kur shkruan se libri u kushtohet: “…gjithë atyre që kishin për të thënë diçka e nuk e thanë dot.”
Nga arkivi i kujtimeve, ai nxjerr copëza jete dhe i “mbjell” në “arën e letrës”, ashtu si fshatari mbjell farën, që ato të mos zhduken, por të bëhen pronë e lexuesve dhe pjesë e historisë sonë. Agronomi Lufter Xhuveli, në fakt, e nisi jetën dhe karrierën e vet duke punuar për zhvillimin dhe rimëkëmbjen e bujqësisë në rrethinat e Beratit. Pikërisht nga ajo periudhë vijnë edhe shumë prej kujtimeve të bukura, por njëherësh të dhimbshme, për shkak të kushteve të vështira të kohës. Me këtë libër, por jo vetëm me të, autori ka konkretizuar më së miri thënien: “Fjalët i merr era, e shkruara mbetet.” Gjatë jetës së tij profesionale, Lufter Xhuveli ka mbajtur pozicione të ndryshme dhe me përgjegjësi të lartë , shtatë herë ministër: i Bujqësisë, Mjedisit dhe i Shtetit. Me “daltën” kujtimeve, për të cilën i ka shërbyer edhe ditari që ka mbajtur prej shumë vitesh, skalit figurën e secilit ashtu siç e ka njohur nga afër. “Jeta politike dhe shoqërore ka skena dhe prapaskena”, thekson ai ndër të tjera. Pikërisht prapaskenat që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar përbëjnë boshtin e librit. Qëndrimin e tij ndaj figurave kryesore politike autori e përmbledh në disa nëntituj kuptimplotë: Enver Hoxha: Adhurim e zhgënjim. Mehmet Shehu: Misteri vazhdon. Ramiz Alia: Edhe po, edhe jo. Fatos Nano: “Prapa më vjen historia”
Sali Berisha: “Po, edhe po” Këta nëntituj zbërthehen përmes fakteve, hollësive dhe një gjuhe të pastër e të drejtpërdrejtë. Autori i bën një lloj “skaneri” figurave që ka njohur, pa marrë përsipër të japë një vlerësim përfundimtar dhe të plotë për secilin prej tyre.
Libri i ish politikanit Lufter Xhuveli, nuk është thjesht një rrëfim kujtimesh apo një përmbledhje mendimesh. Ai është, mbi të gjitha, një shkollë jete dhe një “leksion” për të rinjtë që duan të bëhen të vlefshëm për shoqërinë.
“Skena dhe prapaskena” është një libër që të ngjall besimin se njeriu që kërkon shumë, së pari nga vetja, mund të arrijë larg, deri në zyrat më të larta të shtetit, duke mbetur i vetëdijshëm se një ditë do të kthehet përsëri te “konaku i vet”. Kështu ka ndodhur edhe me Lufter Xhuvelin, i cili, pasi dha kontributin e tij në bujqësi, politikë dhe shkencë, nga e njëjta adresë në rrugën “Myslym Shyri” vazhdon të shkruajë libra që mbeten në kujtesë.
Libri është një gjurmëi intelektuale që mbetet si vlerë edhe për brezat. Siç ka bërë të ditur publikisht, ai po përgatit një vepër tjetër, po aq të rëndësishme, këtë herë me fokus kontributin e tij në shkencën dhe në zhvillimin e bujqësisë shqiptare. “Libri tjetër do tëtitullohet “ Dear Prof.” dhe do të përmbajë letërkëmbime e kujtime me shkencëtarë nga e gjithë bota”, të thotë ai. Pena plug Prof. Xhuveli!