Joe Biden urdhëroi forcat amerikane në Lindjen e Mesme t’i rrëzojë raketat e Iranit

Uashington, 1 tetor 2024 – Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar forcat amerikane në Lindjen e Mesme që të ndihmojnë mbrojtjen e Izraelit mga sulmet iraniane dhe t’i rrëzojnë raketat që shënjestrojnë Izraelin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Ky njoftim u bë pas lajmit se Irani e ka sulmuar Izraelin me afro 200 raketa, raporton skynews.

Presidenti Biden njoftoi se ai dhe Nënpresidentja Kamala Harris janë takuar me ekipin e tyre të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për sulmin ajror iranian ndaj Izraelit.

“Ne diskutuam se sa janë të përgatitura Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar Izraelin që të mbrohet nga këto sulme dhe të mbrojë personelin amerikan në rajon”, shkroi Biden në rrjetin social X.

Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris e ndoqën sulmin e Iranit kundër Izraelit nga Dhoma e Situatave në Shtëpinë e Bardhë dhe po marrin raporte të përditësuara rregullisht nga ekipi i sigurisë kombëtare.

Para fillimit të sulmit me raketa nga Irani, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, bisedoi me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për “pasojat e ashpra” që do të kishte Irani nëse e sulmonte Izraelin.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, ka treguar se sekretari Austin ka thënë se SHBA është e gatshme të mbrojë personelin amerikan në rajon, aleatët dhe partnerët.

“Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të mirë gatishmërie për të mbrojtur personelin amerikan, aleatët dhe partnerët përballë kërcënimeve nga Irani dhe organizatat terroriste të mbështetura nga Irani dhe janë të vendosura që të parandalojnë ndonjë aktor që të shfrytëzojë tensionet dhe të zgjerojë konfliktin në rajon”, citon Ryder sekretarin Austin, transmeton Zëri i Amerikës.

(r.m.)

Comment

*