JOSIF E VASIL PANI-DY BIJ TË SHQUAR TË DARDHËS

Niko Dako

    Rreth një vit para se të botohej libri “Atë e bir për Mëmëdhenë”, autori i tij, Sotir Pani, ma dha në fletë të printuara për ta lexuar e për t’i shfaqur mendimin tim. Sot gjej rastin ta falenderoj edhe këtu për vlerësimin dhe nderin që më bëri, si dhe ta uroj për botimin.

E lexova me kënaqësi dhe me një ndjenjë të thellë emocioni, sepse në faqet e tij gjeta jetën, përpjekjet dhe sakrificat e dhjetëra atdhetarëve shqiptarë të Amerikës, të cilët mund t’i quaj me pa frikë “brezat e fundit të rilindësve tanë të mëdhenj”, breza ku zënë një vend të nderuar dy bij të Dardhës, Josif e Vasil Pani, atë e bir.

Ashtu si edhe disa shokë e miq të tjerë të autorit, e inkurajova, mbase me një farë këmbëngulje të tepruar, për ta botuar si libër, sepse isha i bindur për vlerën e tij.

Sotir Pani

Kushdo që e ka lexuar apo do ta lexojë, do të bëhet i vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për gjyshin dhe babain e autorit, por, nëpërmjet tyre, edhe për gjithë ata veprimtarë që, ndonëse Amerika iu bë atdhe i dytë, nuk e harruan Shqipërinë, por u vunë gjoksin luftës dhe përpjekjeve për çështjen e mëmëdheut, për ata që sollën vetëdijen kombëtare shqiptare, për ata që s’kursyen as jetën, as familjen, as pasurinë e venë me mundim, në fund të fundit, për ata që bënë Shqipërinë.

Besoj se është kuptimplotë edhe fakti që ky prezantim libri bëhet këtu, në këtë kishë të shenjtë të Fan Nolit, pragun e së cilës Josifi dhe Vasili e kapërcyen shumë herë, folën e rrahën problemet e kombit me peshkopin e mençur dhe ndezën nga një qiri duke iu lutur të Plotfuqishmit jo aq për veten e tyre sesa për atdheun e largët, për Shqipërinë e dashur, për njerëzit e zemrës, për Dardhën e shtrenjtë, që i fali kombit dhjetëra burra të shquar, të cilët, mbi çdo gjë vunë atë që Perëndia na e jep vetëm një herë në jetë e që është i pazëvendësueshëm: MËMËDHENË.

Libri të bën përshtypje të thellë që në vështrim të parë, me kopertinën: një titull i goditur dhe një fotografi e bukur e dy njerëzve të pashëm, fisnikë, atë e bir, që iu kushtuan pa kursim çështjes kombëtare.

Libri ndahet në 25 kapituj. Gjashtë të parët i kushtohen jetës dhe veprimtarisë se Josifit, kurse 14 të tjerë i kushtohen Vasilit. Meritë e veçantë e veprës është pajisja me një numër të madh fotografish, rreth 100 të tilla, të bëra në Amerikë dhe në Shqipëri (në Dardhë kryesisht). Në fund është edhe një album i veçantë me foto. Zënë vend, gjithashtu, edhe plot fotokopje të artikujve në gazetat e kohës, shkruar nga Josifi e Vasili ose artikuj që bëjnë fjalë për këta, si dhe fotokopje dokumentash të ndryshme, letrash etj.

Autori ka përfshirë edhe një shkrim të publicistit Kolec Traboini, që ka jetuar para disa vjetësh ketu në Boston, një shkrim plot vlerësim për pasionin e palëkundur të Sotirit për të krijuar një muze në shtëpinë e tij në Dardhë me material nga veprimtaria atdhetare e gjyshit dhe babait të tij, si dhe e dardharëve të tjerë. Libri përmban edhe një bibliografi ose referenca, siç i quan autori.

Çdo lexues preket që në rreshtat e parë të parathënies, shkruar nga Sotiri, fjalë plot dhemkë e nostalgji për vendlindjen, Dardhën, për plagën e kurbetit që e përjetuan aq thellë breza të terë dardharësh, për burrat që ai fshat i përcolli larg, larg por që s’e turpëruan kurrë, sepse, ashtu si gjyshi dhe babai i tij, u rreshtuan me forcat më përparimtare të kohës. Ndaj dhe justifikohet qëllimi  i ketij botimi për t’ua bërë të njohur, siç thotë autori, jetën dhe veprimtarinë patriotike të Josifit dhe Vasilit gjithë pasardhësve të tyre, nipërve dhe mbesave, farefisit, brezave që do të vijnë dhe kujtdo tjetër.

Josif Pani, biri i Ligor Panajot Panit dhe i Sofisë, u lind më 1868 në Dardhë. Më 1903 qe nga dardharët e parë që mori rrugën e Amerikës, fillimisht në Natick. Në Dardhë la djalin, Vasilin, dhe tre çupa.

U aktivizua në shoqëritë dardhare si “Bleta”, në Federatën “Vatra”, duke qenë i pandarë nga Faik Konica, Sotir Peçi e Fan Noli. U zgjodh gjithashtu, kryetar i shoqërise “Besa-Besën”.

Më 1907 shkoi në Shqipëri dhe u kthye sërish në Amerikë duke sjellë me vete djalin, Vasilin 12-vjeçar. Më 1922 shkoi përfundimisht në Dardhë dhe mbylli sytë përgjithmonë në fshatin e dashur më1934. Figurën e tij e vlerësuan lart gazetat e Amerikës, “Dielli” etj., dhe gazetat e Korçës. Por nuk vdiq i zhuritur, siç përdoret kjo shprehje në Korçë, sepse një muaj e gjysmë para se të largohej nga kjo jetë, përjetoi gëzimin më të madh për lindjen e nipit, djalit të Vasilit, Sotirit, i cili na ka mbledhur sot këtu.

Një sagë më vete përbën jeta dhe veprimtaria e Vasil Panit. Ishte vetem 12 vjeç kur u nda nga vatra amtare dhe nga Dardha me shpirt të këputur. Në fillim në Natick e pastaj në Boston, ndoqi rrugën e t’et. Që i ri mori pjesë në veprimtaritë e atdhetarëve. Më 1912 shkoi si vullnetar me shokë te tjerë në Shqipëri, ku luftoi me çetat e Themistokli Gërmenjit kundër  andarteve grekë. U kthye në Boston i burrëruar dhe, duke shfrytëzuar talentin e të shkruarit, botoi me dhjetëra artikuj në “Dielli” dhe në gazetat e tjera. Atdhetar i palëkundur, u zgjodh në fillim sekretar, arkëtar dhe më pas kryetar i “Vatrës”, një nder i madh për të dhe për dardharët e tjerë. Më 1922 bleu restorantin “Court House Lunch” në Cambridge, që u kthye në një seli tepër aktive për vatranët.

Vasili shkoi dhe dy herë të tjera në Shqipëri, më 1933, kur u martua në Dardhë me Evriviqi Gjikën dhe, për herë të fundit, më 1937, kur i biri, Sotiri, ishte 3-4 vjeç. Ja fati i dhimbshëm i mërgimtarit: me gruan dhe me djalin nuk rrojtën bashkë veçse reth një vit e gjysëm, kurse çupën Dhoksinë, s’e pa asnjëherë, përveçse në fotografi.

Vatrani Vasil Pani ndërroi jetë papritur në Dhjetor 1947, pas 40 vjetësh larguar nga vendlindja. Për të përgjithësuar ndjenjën e dhimbjes dhe vlerësimet më të larta që bënë bashkatdhetarët për të, po përmend vetëm një fjali, por me domethënie të madhe, nga fjalimi që mbajti imzot Fan Noli në drekën pas varrimit: “Vasil Pani,-tha ai,- kish qëndurar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.

Pas 50 vjetësh mbylljeje të Shqipërisë në monizëm, i pari erdhi në Amerikë Andrea, djali i vogël i Sotirit, më pas Sotiri dhe gjithë pjesa tjetër e familjes. Të dhënat për këto fakte jepen në kapitujt e fundit të librit. Për emocionet që përjetuan pasardhësit e dy vatranëve, askush s’mund të flasë më mirë se ata. Ndaj kanë të drejtë të jenë krenarë për të parët e tyre, ashtu siç përkulemi edhe ne të gjithë në nderim të kujtimit të atyre atdhetarëve të palodhur.

Duke vlerësuar kontributin e tyre, më 1992 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha Josif Panit Urdhërin për veprimtari patriotike të klasit III, kurse Vasilit Medaljen për veprimtari patriotike.

Sot, në këtë ditë jo të zakonshme për familjen Pani, kur, nëpërmjet veprës së Sotirit, kujtojmë e vlerësojmë dy nga paraardhësit e saj, nuk mund të mos shprehim një peng e një ndjenjë të thellë nderimi edhe për një personazh tjetër, që, ndonëse nuk zë shumë faqe, ka një vend me peshë, si një gur i rëndë, në fletët e librit. Sot, pra, nderojmë dhe kujtimin e gruas së Vasil Panit, nënës së Sotirit, Evriviqit, e cila, mbetur e ve dhe veshur me të zeza që në moshën 34-vjeçare, rriti me përkushtim, me sakrifica e dinjitet dy fëmijët mbetur pa baba, ashtu si shumë gra dardhare që pritën tërë jetën burrat të ktheheshin nga kurbeti i largët dhe e lanë me lot fatin e tyre, me lot shpirti që thërmojnë edhe gurin…. E kush më mirë e më shumë se burrat e gratë e Dardhës dhe të ngjashmit e tyre mund t’i ndiejë aq me shpirt vargjet e njohura të poetit të Rilindjes sonë Kombëtare A. Z. Cajupit, shkruar me aq realizëm e shqetësim qytetar: Kurbeti, shokë, kurbeti/Kush vate e nukë mbeti?

Theksova se kjo ditë është e veçantë për familjen Pani. Por në këto momente emocinuese, fatkeqësisht, na mungon edhe një njeri tjetër, na mungon bashkëshortja e ndjerë e Sotirit, Margarita, nëna e shtëpisë, nëna e djemve, nuseve dhe nipërve, e cila, në çdo sukses e në çdo ngjarje të madhe të familjes, ka pjesën e vet të meritës, si një grua e mençur, e sinqertë, nikoqire dhe e fisme. Por le të shpresojmë se edhe ajo gëzohet sot bashkë me ne, që aty lart ku e ka thirrur i Plotfuqishmi.

Po e mbyll me nje pasazh domethënës nga shkrimi i K. Traboinit. Ky, kur e sheh një ditë Sotirin që po nisej si shumë herë të tjera nga Bostoni për në Shqipëri, i thotë: “Po rrugë e gjatë o Soto, si nuk u lodhe….” Sotiri, me mençuri i përgjigjet: “ Nuk lodhet njeriu duke rendur pas dashurisë”!

Vërtet, nuk lodhet…sepse ato janë dashuritë më të shenjta, dashuria për familjen dhe dheun mëmë, dashuri që na i fshijnë thinjat e na japin forcë të jetojmë e t’u percjellim edhe brezave të rinj këtë flakë të perëndishme që nuk shuhet kurrë.