Justina Shiroka – Pula inaugurohet si Presidente e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 7 tetor 2026 – Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Haxhiu tha se Shiroka – Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post, ndërsa Shiroka – Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që e ka filluar Haxhiu.

Më pas, ato i ndërruan karrigat dhe Justina Shiroka – Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në fjalimin e saj pas zgjedhjes si presidente, Justina Shiroka-Pula ka thënë se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo ka thënë se e pranon me nder të madh e përgjegjësi postin e presidentes.

Justina Shiroka-Pula është angazhuar në politikë në vitin 2008. Ajo ka mbajtur pozita të larta publike. Ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011 dhe  deputete e Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2011–2014.
Deri në zgjedhjen e saj Presidente e Kosovës, Justina Shiroka-Pula ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 

(r.m.)