Justina Shiroka – Pula propozohet për Presidente të Republikës

Prishtinë, 6 tetor 2026 – Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Shiroka – Pula doli kandidate për Presidente të Kosovës, në orën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Zonja Shiroka – Pula u propozua për këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti, dhe Partia Demokratike e Kosovës e pranoi këtë propozim, me kusht që kjo parti ta propozojë për kundërkandidate edhe Eliza Hoxhën.

Kryeministri Albin Kurti, me rastin e publikimit të propozimit, tha se LVV tërheq kanndidaturat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit dhe e propozon zonjën Shiroka – Pula për të përmbyllur procesin e formimit të institucioneve të vendit dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Ai tha se beson se zonja Shiroka- Pula do ta ketë mbështetjen e PDK-së, duke qenë se ajo ka qenë ministre në Qeverinë Thaçi 1, në periudhën 2008-2011, e pastaj deputete e PDK-së në periudhën 2011-2014.

Kurti njoftoi se në Kuvendin e Kosovës do të mbahen sonte dy seanca. Në të parën do të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa në seancën e dytë do të votohet për zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja e pranoi krahëhapur kandidaturën e zonjës Shiroka – Pula. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, u shpreh i çliruar. Ai tha se Kurti mund ta kishte bërë këtë propozim shumë më herët, për të shmangur ngërçin në të cilin ka hyrë vendi.

Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë. Për t’u kandiduar, nevojiten nënshkrimet e së paku 30 deputetëve.

Në dy raundet e para, kandidatit i duhen të paktën 80 vota. Nëse askush nuk i siguron, në raundin e tretë garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i dytë. Në këtë raund, për t’u zgjedhur nevojiten të paktën 61 vota.

Nëse as në raundin e tretë nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Kuvendi nisi të mblidhet menjëherë pasi Hamza njoftoi qëndrimin e PDK-së. Deri në orën 24:00 duhet të miratohen ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale dhe duhet të zgjiidhet ptresidenti i ri i vendit, më saktë presidentja e re e vendit.

(r.m.)