Prishtinë, 6 tetor 2026 – Justina Shiroka – Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës.
Zonja Shiroka- Pula u zgjodh shefe e re e shtetit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila filloi pak para orës 24:00 dhe përfundoi në orën 00:21.
Justina Shiroka Pula u zgjodh me votat e 81 deputetëve, ndërsa kundërkandidatja e saj, Eliza Hoxha, e mori vetëm një votë. Dy vota ishin të pavlefshme.
Në adresimin e saj të parë si Presidente e Kosovës, Justina Shiroka-Pula tha se mandati i saj u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha ajo.
Presidentja e re u zotua se ajo do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa kurrfarë dallimi dhe do të punojë për forcimin e shtetit të Kosovës.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, tha ajo.
Shiroka-Pula theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj si shtet demokratik me orientim euroatlantik dhe do të ketë marrëdhënie të ngushta me shtetet mike e aleate.
“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj. Besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja Shiroka-Pula.
Mandati i Presidentit të Kosovës zgjat pesë vjet dhe mund të rizgjidhet në këtë pozitë vetëm edhe një mandat.
Zonja Shiroka – Pula u propozua për këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti, në orën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e pranoi këtë propozim.

Kush është Justina Shiroka – Pula
Justina Shiroka – Pula është e lindur në Prishtinë më 1953. Arsimin fillor e të mesëm dhe studimet i ka mbaruar në Prishtinë.
Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndësrsa studimet pasuniversitare i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit, në Kroaci. Ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës, me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar karrierën akademike si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Justina Shiroka – Pula ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka kryer edhe programe profesionale në universitete të ndryshme ndërkombëtare.
Është autore e disa botimeve dhe publikimeve shkencore.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, kryesisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë ka hyrë në vitin 2008. Prej këtij viti deri në vitrin 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës. Nga viti 2011 deri në vitin 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 2016, Justina Shiroka-Pula është pranuar anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Viti n e kaluar, 2025, ajo është zgjedhur Kryetare e Akademisë.
(r.m.)