Jerusalem, 8 gusht 2025 – Kabineti i Sigurisë i Izraelit e ka miratuar të enjten vonë planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu që ushtria izraelite “ta marrë nën kontroll” të qytetit të Gazës.
Zyra e Netanyahut tha të premten se shumica e kabinetit të sigurisë i ka miratuar “pesë parime për përfundimin e luftës: çarmatimin e Hamasit; kthimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur; demilitarizimin e Rripit të Gazës; kontrollin e sigurisë në Rripin e Gazës nga Izraeli; krijimin e një administrate alternative civile që nuk do të jetë as Hamasi e as Autoriteti Palestinez”.
“Shumica e ministrave të kabinetit të sigurisë besuan se plani alternativ që ishte paraqitur në kabinetin e sigurisë nuk do të arrinte as mposhtjen e Hamasit dhe as kthimin e pengjeve”, thuhet në njoftimin e zyrës së Natanyahut.
Në njoftim thuhet se, sipas planit, “ushtria izraelite do të përgatitet të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës dhe njëkohësisht do të shpërndajë ndihma humanitare për popullatën civile jashtë zonave të luftimeve”.
Të enjten, para mbledhjes së kabinetit të tij të sigurisë, Netanyahu tha se Izraeli planifikon ta marrë kontrollin e plotë të Gazës, por shtoi se nuk synon ta qeverisë këtë territor.
Netanyahu i tha medias amerikane Fox News se qeveria e tij synon të krijojë një “perimetër sigurie” e pastaj t’ia dorëzojë kontrollin në territorin palestinez “forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet, pa na kërcënuar dhe duke u ofruar palestinezëve në Gazë një jetë të mirë”.
Plani i zgjerimit të ofenzivës izraelite në Gazë përfshin operimin e trupave ushtarake izraelite në zonat me popullsi të dendur, ku besohet se mbahen pengjet izraelite, raportuan mediat izraelite.
Gati dy vjet pas nisjes së luftës në Gazë, Netanyahu po përballet me presion brenda shtetit dhe nga jashtë për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për t’u tërhequr nga territori palestinez. Ai gjithashtu po përballet me presion që të lirohen pengjet që mbahen nga Hamasi.
(r.m.)