Bruksel, 22 maj 2025 – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Dialogu Beograd – Prishtinën është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t’u riangazhuar”, ka shkruar Kallas në profilin e saj në platformën X.
Shefja e diplomacisë evropiane e ka bërë këtë deklaratë në prag të vizitës së saj në Beograd, në Prishtinë dhe në Shkup. Ajo ka bërë të ditur se gjatë vizitës do të angazhohet për rrugëtimin e këtyre vendeve drejt BE-së
“Dy ditët e ardhshme do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe me qeveritë dhe shoqëritë civile do të angazhohem për rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, ka shkruar ajo.
Kaja Kallas ka arritur të mërkurën në mbrëmje në Beograd, ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti iserb, në një postim në Instagram, ka shkruar se me zonjën Kallas ka biseduar “për temat kyçe gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugëtimin evropian të Serbisë dhe për dialogun me Kosovën”. Ai ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është parakusht për vazhdimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
“Theksova se Serbia është e përkushtuar për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut.Kujtova se formimi i Asociacionit të komunave serbe [në Kosovë] është jo vetëm marrëveshje obliguese por edhe parakusht për vazhdimin e dialogut dhe për çfarëdo normalizimi të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiq.
BE-ja ka njoftuar se Kaja Kallas do ta takojë në Beograd edhe kryeministrin Gjuro Macut, ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, ministrin për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.
Nga Beogradi, zonja Kallas do të udhëtojë për në Prishtinë. Sipas njoftimit të BE-së, të enjten pasdite ajo do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë.
Ajo do të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), dhe do ta takojë komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralin Enrico Barduani.
(r.m.)