Bruksel, 8 qershor 2026 – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë.
Në një postim në plaformën X, ajo ka thënë se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse hapën rrugë për t’i dhënë fund bllokadës politike mbi një vjeçare në Kosovë.
Kallas u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të shtetit.
“Kosova, me zgjedhjet e saj demokratike dhe gjithëpërfshirëse, e ka hapur rrugën për të lënë prapa bllokadën politike mbi një vjeçare. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin sa më të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar ajo.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e ka theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, duke e cilësuar atë si element kyç për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbeten thelbësore për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, është shprehur Kallas.
Edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, u ka kërkuar partive politike në Kosovë që të gjejnë kompromis dhe të bashkëpunojnë për të siguruar stabilitet institucional pas zgjedhjeve.
(r.m.)