Kallas në Beograd: Serbia duhet ta dëshmojë se njëmend e do anëtarësimin në BE

Beograd, 22 maj 2025 – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.

“Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Unë dua ta shoh Serbinë duke avancuar drejt BE-së. Për këtë, liderët politikë duhet të bëjnë reformat e nevojshme dhe të qartësojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke rivendosur besimin dhe duke u qëndruar besnike parimeve demokratike”, ka shkruar Kallas në platformën X, të enjten, në përfundim të vizitës së saj në Beograd.

Ajo e ka shprehur këtë qëndrim edhe në një konferencë për media, në Beograd.

“Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, la thënë ajo.

Kallas ka theksuar se përparimi i Serbisë drejt BE-së “duhet të ndodhë këtu, në Beograd”.

Ajo ka thënë se hapat që Serbia duhet t’i ndërmarrë në vazhdim “janë shumë të qartë” dhe përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore. Ajo ka thënë gjithashtu se në Serbi duhet të përmbushen kërkesat e studentëve dhe qytetarëve javët e fundit.

“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t’i ndjekë”, ka thënë ajo.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën janë vendimtare për të ardhmen e Serbisë në BE. Ajo ka paralajmëruar se liderët e Kosovës dhe Serbisë do t’i ftojë në Bruksel, për të biseduar për hapa konkretë drejt normalizimit.

“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni tek e ardhmja e përbashkët. Planifikoj që përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës t’i ftoj në Bruksel sa më shpejt, për të folur për hapat konkret përpara”, ka thënë ajo.

E pyetur nga gazetarët se a kishte biseduar me Vuçiqin për vizitën e tij në Moskë më 9 maj, Kallas ka thënë se ajo e ka shprehur shumë i qartë qëndrimin e saj.

“Nuk e kuptoj pëRse është e nevojshme të qëndrosh krah për krah me dikë që po zhvillon një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, ka theksuar ajo.

Ajo ka përsëritur edhe një herë se Bashkimi Evropian pret që vendet kandidate të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me politikën e tij të jashtme të bllokut.

“A dëshironi të jeni me ne? Nëse po, atëherë do të punojmë së bashku. Kjo është ajo që presim nga vendet kandidate”, ka theksuar ajo.

Kallas ka thënë se ajo është “thellësisht e përkushtuar” për t’i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që |ta shfrytëzojnë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit”.

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani. Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë”, ka theksuar ajo në Beograd.

Pas vizitës në Beograd, Kallas ka udhëtuar drejt Prishtinës

(r.m.)

Comment

*