Luksemburg, 21 tetor 2025 – Ukrana ishte në fokusin e takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, të martën. Pwrfaqwsuesja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe siguri, Kaja Kallas bwri thirrje që Ukrainës të mos i imponohet opsioni i shkëputjes sw territoreve tw saj në favor të Rusisë.
“Ne nuk duhet të harrojmë që Rusia është agresori dhe Ukraina viktima”, tha Kallas pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, citon DW.
“Nuk është rruga e duhur të ushtrohet presion ndaj viktimës, Ukrainës”, theksoi ajo.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të premten në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj. Sipas njoftimeve në media, Trump i ka kërkuar Zelenskyjt që t’i japë fund luftimeve dhe të pranojë pushtimin rus të një pjese të Ukrainës.
Në sfondin e takimit të paralajmëruar ndërmjet presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Budapest, qeveria e Gjermanisë pret nga samiti i BE-së këtë javë një “sinjal të qartë mbështetjeje” për Ukrainën.
“Ne nuk e lemë Ukrainën në baltë”, thonë qarqet qeveritare në Berlin, në sfondin e takimi të mundshëm Trump-Putin në Budapest.
Raportohet se në takimin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të enjten dhe të premten (më 23 dhe 24 tetor 2025) në Bruksel do të diskutohet konkretisht për “një financim afatgjatë i Ukrainës”.
Qeveria gjermane pret që në këtë samit të merret një “vendim politik” lidhur me pasuritë ruse të ngrira në Europë.
Pavarësisht se “një sërë” çështjesh teknike mbeten të hapura, në BE po hartohen kornizat e “një konsensusi të gjerë” për përdorimin e pasurive të ngrira ruse për të ashtuquajturën “kredi reparacioni” për Ukrainën.
(r.m.)