Prishtinë, 22 maj 2025 – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha të enjten në Prishtinë se BE ka nisur heqjen gradual masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Ajo tha se vendimi për heqjen e plotë të masave varet nga situata në pjesën veriore të Kosovës dhe shtoi se mbyllja e strukturave paralele serbe i pengon përpjekjet për shtensionimin e situates.
“Si shenjë të përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur gradualisht t’i heqë masat e vedndosura në qershor të vitit 2023. Vendimi hap rrugë për mundësi të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje me Evropën. Por, është i kushtëzuar në ruajtjen e shtensionimit në veri. Mbyllja e strukturave të përkrahura nga Serbia minon përpjekjet drejt shtensionimit. Duhet të kuptohet që nuk duam të shohim përshkallëzim në veri”, tha ajo në konferencë shtypi në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Kallas bëri të ditur se disa vende anëtare të BE-së kërkojnë edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe pretendojnë se situata në veri vazhdon të përshkallëzohet.
“Unë personalisht jam duke i bindur vendet anëtare se ne duhet t’i heqim masat ndaj Kosovës, por disa thonë se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe përshkallëzimi në veri bie ndesh me këtë. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat tanë, por kemi vërtet nevojë të shohim shtensionim në veri”, u shpreh ajo.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të reja. Ajo tha se liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.
“Formimi i qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin, për rritjen dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi ajo.
Kallas tha se Kosova i takon familjes evropiane, por për anëtarësim në BE nevojiten reforma të qëndrueshme.
“Kosova i përket familjes evropiane, por s’ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”, tha ajo.
Kaja Kallas tha se në Kosovë ka ardhur për t’u njohur me situatën e sigurisë dhe për shtyrjen përpara të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ajo e cilësoi si “prioritet kyç” normalizimin e raporteve midis këtyre dy vendeve.
“Prioritet kyç mbetet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jeni partnerë të barabartë në tavolinë. Si përfaqësuese e lartë do të vazhdoj ta mbështes këtë proces. Ata që kanë dyshime në të le ta kenë të qartë se normalizimi i raporteve është e vetmja rrugë për të ardhme më të sigurt dhe prosperuese për popujt e rajonit. Stabiliteti varet nga dialogu jo nga konfrontimi”, theksoi ajo.
Kaja Kallas shprehu përkushtimin e saj për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe në Beograd. Ajo deklaroi atje se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do t’i ftojë së shpejti në Bruksel, për të biseduar për “hapat konkretë përpara”.
(r.m.)