Kam green card me kusht dhe keqtrajtohem nga bashkëshorti – Çfarë mund të bëj?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Përshëndetje: Jam e martuar me një nënshtetas amerikan. Kam patur green card dyvjeçare me kusht. Më kanë dalë shumë probleme me bashkëshortin që më abuzon psikologjikisht dhe më kërcënon duke më thënë që nëse divorcohemi, do të më deportojnë. Ma merr rrogën dhe nuk më lë asgjë. Nuk di çfarë të bëj. Green card-a më ka skaduar prej më shumë se një muaji dhe nuk kam dokumenta të vlefshme. Ju lutem më tregoni se çfarë të bëj.

Anonime

Më vjen keq për problemet që ju kanë dalë gjatë martesës. Nëse abuzoheni psikologjikisht ose fizikisht, ju këshillojmë të telefononi policinë afër jush duke marrë numrin 911. Mos u shqetësoni për statusin e emigracionit. Gjendeni këtu në mënyrë të ligjshme. Në komunitetin ku jetoni, ka agjenci që mund t’ju ndihmojnë si p.sh. Safehorizon 1-800-621-HOPE si dhe numri direkt i vënë në dispozicion për rastet e dhunës brenda familjes 1-800-799-7233. Ju këshillojmë të flisni me një avokat emigracioni që ka përvojë me raste të tilla. Avokati do të mund të shqyrtojë dokumentat tuaja, t’ju intervistojë dhe t’ju rekomandojë një zgjidhje. Çdo rast ka të veçantat e tij, ndaj dhe avokatit i duhet të njohë mirë të gjithë faktet që kanë të bëjnë me rastin konkret përpara se t’ju japë një këshillë profesionale. Ne ndërkohë mund t’ju shpjegojmë ligjin në vija të përgjithshme. 

Nga letra juaj nuk del qartë nëse keni aplikuar për heqjen e kushtit, dmth nëse keni dërguar ose jo formularin I-751 (Petition to Remove Conditions on Residence). Zakonisht, bashkëshortët e dërgojnë këtë formular bashkarisht. Formulari I-751 duhet dërguar gjatë periudhës 90-ditore që i paraprin mbushjes së dy vjetorit të martesës. Data e skadimit të statusit me kusht është gjithashtu data e përvjetorit të dytë të martesës me nënshtetasin amerikan. Nëse nuk aplikoni në kohë për të hequr kushtin e green card-ës, mund të humbisni statusin e rezidentit me kusht dhe të dëboheni nga Amerika.

Nëse formulari I-751 është dërguar në kohë, atëherë së bashku me bashkëshortin duhet të paraqisni prova që dëshmojnë që nuk jeni martuar për t’i bërë bisht ligjeve të SHBA-së. Peticioni duhet dërguar bashkarisht dhe duhet të përmbajë prova që lidhja juaj ka vazhduar pa ndërprerje. Nëse nuk keni besim tek bashkëshorti/ja, atëherë peticionin e përbashkët nevojitet ta ktheni në një kërkesë për waiver (heqje dorë) nga aplikimi bashkarisht. Rezidentët me kusht që nuk janë në gjendje të aplikojnë së bashku me bashkëshortin aktual ose të mëparshëm duhet të paraqesin një ose më shumë kërkesa që t’u lejohet të mos aplikojnë bashkarisht. 

Si ta fitosh të drejtën për të aplikuar më vete dhe jo bashkarisht për heqjen e kushtit

Nëse nuk keni mundësi të aplikoni bashkarisht për heqjen e kushtit, atëherë duhet të bëni kërkesë për atë që quhet waiver, dmth leje që të jeni të lirë të aplikoni më vete dhe jo me bashkëshortin. Mund të bëni njëherazi një ose më shumë kërkesa për këtë gjë. Në rrethana të caktuara të tregosh diçka të tillë nuk është e lehtë, ndaj dhe peticioni duhet përgatitur me kujdes. Mund ta paraqisni dhe me vonesë në rast se jeni në gjendje të provoni që nuk ka qenë faji juaj që kërkesën në fjalë nuk arritët ta paraqisni në kohën e duhur.

Mund të kualifikoheni për të paraqitur një waiver dmth për heqje dorë nga aplikimi bashkarisht, nëse arrini të provoni që lidhja martesore nisi si e vërtetë dhe jo për t’i bërë bisht ligjeve të emigracionit, por martesa u anulua ose përfundoi në shkurorëzim. Gjithashtu mund të bëni kërkesë për waiver në rast se deportimi apo dëbimi nga vendi do t’ju shkaktonte “vështirësi ekstreme”. Në këtë rast, duhet të paraqisni prova që dëbimi nga Shtetet e Bashkuara do t’ju shkaktonte vështirësi që janë jashtëzakonisht më të mëdha se ato me të cilat përballet një nënshtetas i huaj që është dëbuar nga vendi pasi ka qëndruar në SHBA përtej afatit të ligjshëm që i ka caktuar nga emigracioni. Dëshmia duhet të lidhet vetëm me ata faktorë që kanë dalë në pah gjatë periudhës dyvjeçare të pranimit në SHBA me statusin e rezidentit të ligjshëm me kusht. Mund të të bëni gjithashtu kërkesë për waiver në rast se lidhja martesore nisi si e vërtetë dhe jo për t’i bërë bisht ligjeve të emigracionit, por gjatë martesës fëmija juaj ose ju u rrahët dhe ratë pre e një trajtimi tejet mizor nga bashkëshorti/ja nënshtetas amerikan apo rezident i përhershëm dhe nuk ishte faji juaj që nuk arritët të paraqisni peticionin e përbashkët për heqjen e kushtit. Nevojitet në këtë rast të paraqisni prova të abuzimit, të tilla si fotokopje të raporteve ose të dhënave zyrtare të lëshuara nga policia, gjykatat, personeli mjekësor, zyrtarët e shkollës, klerikët, punonjësit socialë dhe personeli i ndonjë agjencie tjetër të ndihmës sociale. Gjithashtu mund të paraqisni çdo dokument ligjor në lidhje me një urdhër mbrojtjeje lëshuar kundër abuzuesit ose në lidhje me cilindo hap ligjor që mund të keni ndërmarrë për t’i dhënë fund abuzimit. Gjithashtu mund të paraqisni dëshmi se keni kërkuar të strehoheni në strukturat e krijuara posaçërisht për t’i ofruar strehim përsonave të abuzuar ose që gjenden në rrethana të ngjashme, si dhe fotografi që evidentojnë lëndimet tuaja trupore; edhe një kopje të dokumentit të divorcit, nëse martesa juaj ka përfunduar me divorc për shkak të abuzimit fizik ose mizorisë ekstreme. Në raste të tilla, mund të aplikoni për heqje të kushtit në çdo kohë pasi jeni bërë rezident me kusht, por përpara se t’ju dëbojnë nga vendi.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]