Kamala Harris: Trashëgimia e Bidenit – e pakrahasueshme në historinë moderne

Uashington, 22 korrik 2024 – Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, në paraqitjen e saj të parë publike pas hyrjes garën presidenciale, e cilësoi “të pakrahasueshme në historinë moderne” të SHBA-së trashëgiminë e presdentit Joe Biden.

“Trashëgimia e Joe Bidenit gjatë tre vjetëve të fundit është e pakrahasueshme në historinë moderne”, tha Harris, gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, në ceremoninë e nderimit të atletëve amerikanë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se zonja Harris do të shkonte në Uilmington të Dellauerit, për të takuar stafin e fushatës së saj. Në Dellauer gjendet edhe presidenti Biden, i cili është izoluar në shtëpinë e tij, pasi është infektuar me koronavirus.

Një ditë më herët, Harris u zotua se do të punojë për të bashkuar Partinë Demokratike “për të mposhtur Donald Trumpin”, kandidatin republikan për president.

Biden, njoftoi të dielën për tërheqjen e tij nga gara për një mandat të dytë të Presidentit të SHBA-së. Ai kërkoi mbështetjen e demokratëve që Kamala Harris të marrë nominimin e partisë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.

Konventa e Partisë Demokratike, ku do të emërohet zyrtarisht kandidati i partisë për president, do të mbahet nga 19 deri më 22 gusht, në Çikago.

(r.m.)