Beograd, 4 janar 2024 – Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dënuar ashpër vendimin e qeverisë serbe që t’ia ndalojë vizitën në Luginën e Preshevës ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Qeveria në Beograd, nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjëje shqiptare!”, ka shkruar Kamberi, në një postim në Facebook.
“Dënojmë ashpër këtë qasje të vazhdueshme nga Qeveria në Beograd e cila vazhdon getoizimin e Luginës së Preshevës!”, ka theksuar ai.
“Vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike”, ka thënë Kamberi.
Ae ka theksuar se bashkëpunimi i shqiptarëve me Kosovën dhe me Shqiprinë “nuk do të ndalet” dhe ka theksuar se “Beogradi mund të tentojë, por do të dështojë”.
Sveçla njoftoi të enjten se autoritetet serbe ia refuzuan “paarsyeshëm” kërkesën për ta vizituar Luginën e Preshevës.
Postimi i plotë:
Vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike!
Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarsisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare!
Dënojmë ashpër këtë qasje të vazhdushme nga Qeveria në Beograd nga e cila vazhdon me getoizimin e Luginës së Preshevës!
Bashkëpunimi ynë me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësoj askënd, përkundrazi duhet t’a mirëpres çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Baskëpunimi jonë me Kosovën e Shqiprinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë por do të dështojë.
(r.m.)