Kamberi: SHBA-ja kërkon përgjegjësi nga Beogradi për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë

Uashington, 21 janar 2026 – Shapi Kamberi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, ka reaguar pas miratimit të rezolutës H.R. 6411 nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA, e cila ka të bëjë me të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kamberi ka theksuar se miratimi i kësaj rezolute përfaqëson një qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Luginë dhe një hap të rëndësishëm drejt kërkimit të përgjegjësisë ligjore dhe politike nga Serbia.

Ai ka thënë se rezoluta tani pritet të miratohet edhe nga Kongresi amerikan.

Kamberi ka shprehur mirënjohje të veçantë për kongresistin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij, si dhe për përkrahjen dypartiake të kryetarit të Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetarit Gregory Meeks.

Në postimin e tij, Kamberi ka thënë se kjo rezolutë është rezultat përpjekjeve të gjata të filluara që në vitin 2001, e arritur me përkrahjen e vazhdueshme të Joe DioGuardi dhe Shirley DioGuardi, si dhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ai e ka vlerësuar gjithashtu rolin e komunitetit shqiptar në Teksas, veçanërisht organizatën Albanians For America, si edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës.

“Një betejë e gjatë dhe e drejtë, sot e kurorëzuar me sukses. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Kamberi.

Ai e ka cilësuar miratimin e rezolutës si fitore të rëndësishme politike dhe morale për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe i ka falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur përpjekjet për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në rajon.

(r.m.)