Kandiq: Vuçeviq e Mojsiloviq të tregojnë ku janë varrosur Rukije e Feriz Krasniqi

Beograd, 31 mars 2024 – Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka thënë se ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i mandatuar për kryeministër të Serbisë, dhe shefi i Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, duhet të tregojnë se ku janë varrosur Rukije dhe Feriz Krasniqi, që ishin vrarë nga forcat e ushtrisë serbe në fshatin Sushicë të Shtërpcës, më 27 mars 1999.

“Le të kërkojmë nga shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, të zbulojnë vendin ku u varrosën trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit, të vrarë nga pjesëtarët e Ushtrisë së Jogosllavisë, më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë (Kosovë)”, ka shkruar Kandiq në platformën “X”.

Historia e vrasjes së çiftit Rukije dhe Feriz Krasniqi

Kur një batalion i ushtrisë Jugosllave i drejtuar nga Kapiteni Petroviq mbërriti në fshatin Sushicë në Kosovë në fund të muajit mars 1999, ai urdhëroi të gjithë shqiptarët të dalin nga shtëpitë. Feriz Krasniqi dhe gruaja e tij e paralizuar Rukija nuk kanë mundur të dalin. Mosbindja u ka kushtuar atyre jetën.

I zemëruar nga lutjet e Ferizit se ai nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të linte vetëm gruan e tij të paralizuar, Petroviq ka urdhëruar rezervistët e ushtrisë Nenad Stamenkoviq dhe Tomica Joviq të vrisnin çiftin. Një njësi speciale e ushtrisë jugosllave e krijuar me qëllimin e vetëm për të djegur dhe zhdukur trupat i ka larguar më pas kufomat e tyre.

Historia e Feriz dhe Rukije Krasniqit dhe mizoria me të cilën janë vrarë ata do të ishte varrosur me siguri së bashku me kufomat e tyre si shumë shqiptarëve tjerë, nëse nuk do të ishte një oficer i ushtrisë Jugosllave.

Zëvendës koloneli Ljubisha Miçiq, i dislokuar aty pranë pasi ka dëgjuar për këtë vrasje ka shkuar në fshatin ku banonte çifti Krasniqi dhe ka mbledhur prova.

Më 20 Dhjetor, gjykata ushtarake në Nish ka dënuar Stamenkoviq dhe Joviq me katër vjet e gjysmë burgim për vrasjet.

Petroviq është dënuar me katër vjet e dhjetë muaj burgim sepse ka urdhëruar vrasjet.

(r.m.)