Kaos në vendkalimet e Kroacisë me Malin e Zi e Serbinë, rreth 4 orë pritjet për hyrje e dalje

Zagreb, 2 gusht 2026 – Ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar për pritje të gjata të udhëtarëve në vendkalimet kufitare të Kroacisë me Malin e Zi dhe me Serbinë, si pasojë e zbatimit të Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES).

“Trafiku në pikat kufitare dhe urat ndërkombëtare vazhdon të zhvillohet me kufizime, si pasojë e fluksit të shtuar të udhëtarëve. Në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare, zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit, si dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta”, thuhet në njoftim.

Ambasada bën të ditur se në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, Karasoviqi dhe Vitaljina, janë krijuar kolona disa kilometërshe të automjeteve dhe pritjet zgjasin mbi katër orë, si për hyrje ashtu edhe për dalje.

Ambasada njofton se kryetari i Komunës së Konavles e ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile për lehtësimin e qarkullimit, ndërsa banorët lokalë po u ndihmojnë udhëtarëve duke iu shpërndarë ujë dhe duke ua ofruar për përdorim tualetet e tyre.

Në njoftim thuhet se edhe në pikën kufitare Bajakovo, midis Kroacisë e Serbisë, janë krijuar kolona të gjatë të automjeteve dhe pritjet për kalim zgjasin rreth tri orë.

“Në gjithë territorin e Republikës së Kroacisë janë evidentuar kolona të gjata në pothuajse të gjitha autostradat, si pasojë e fluksit të shtuar të automjeteve”, thuhet në njoftim.

“Udhëtarëve dhe transportuesve u është rekomanduar që gjatë planifikimit të udhëtimeve të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Një numër i madh i udhëtarëve të bllokuar në vendkalimet kufitare të Kroacisë me Malin e Zi dhe me Serbinë janë mërgimtarë shqiptarë që udhëtojnë nga vendet e Europës për pushime në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni të Veriut.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë informacione dhe fotografi që dëshmojnë për gjendje të rënduar të udhëtarëve, për shkak të pritjeve të gjatë, temperaturave të larta, mungesës së ujit dhe ushqipeve dhe mungesës së toaleteve.

Njoftimi i plotë:

Informacion mbi gjendjen në pikat kufitare dhe qarkullimin rrugor në Republikën e Kroacisë

Zagreb, 2 gusht 2026

Trafiku në pikat kufitare dhe urat ndërkombëtare vazhdon të zhvillohet me kufizime, si pasojë e fluksit të shtuar të udhëtarëve. Në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare, zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit, si dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta. 

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb, përmes Atasheut nga MPB z.Sefadin Kuçi, është në komunikim të vazhdueshëm me Stacionin Policor në Grude, i cili ka në përgjegjësi zonën ku ndodhen dy vendkalimet kufitare me Malin e Zi. Sipas përgjegjësve policorë, autoritetet janë duke bërë maksimumin për të menaxhuar situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin në këto pika kufitare.

Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga autoritetet më 2 gusht në ora 11.58, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, në pikën kufitare Karasovići pritjet për hyrje arrijnë deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen pritje disaorëshe (kolona arrin disa kilometra). Kurse në pikën kufitare Vitaljina, pritjet në dalje janë rreth katër orë. 

Kryetari i Komunës së Konavlës në të cilën gjendet dy vendkalimet kufitare, z.Božo Lasić, ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile. Është bërë thirrje banorëve lokal që të shtyjnë të gjitha udhëtimet me automjete personale që nuk janë të domosdoshme, me qëllim uljen e bllokimeve dhe rritjen e sigurisë në trafik. Ndërsa policia po devijon një pjesë të qarkullimit në rrugë alternative, banorët lokalë po ndihmojnë udhëtarët duke u shpërndarë ujë dhe duke u ofruar përdorimin e tualeteve.

Gjithashtu, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, në pikën kufitare Bajakovo, pritjet arrijnë deri në tre orë. 

Në gjithë territorin e Republikës së Kroacisë janë evidentuar kolona të gjata në pothuajse të gjitha autostradat, si pasojë e fluksit të shtuar të automjeteve. Kufizimet infrastrukturore në disa ura vazhdojnë të ndikojnë në qarkullimin e automjeteve të rënda. 

Situata ka ndikuar edhe në transportin publik, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në orare. Bashkatdhetarë të cilët gjatë ditës së djeshme kanë shfrytëzuar dje shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë, kanë kontaktuar me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb dhe bëhet e ditur se vonesat arrijnë deri në 3 orë.

Udhëtarëve dhe transportuesve u rekomandohet që gjatë planifikimit të udhëtimeve të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale.

(r.m.)

Comment

*