Karambole gjuhësore, situata komike

Naum Prifti

Karambolet gjuhësore janë një dukuri e zakonshme në linguistikë dhe në të folurën e përditshme që vjen si rezultat i kontakteve mes dy a më shumë gjuhëve të përdorura në hapësira ku gjenden folësit e tyre. Kjo mund të ndodhë gjatë pushtimeve, në emigracion, në vende pune a trajnime ndërkombëtare midis palëve që flasin gjuhë të ndryshme etj. Është interesante sesi ato lindin rastësisht apo nga dëshira për komunikim të shpejtë dhe shpesh kane efekt komik të krijuar nga konkordanca zanore ose fonologjike.

Një të tillë po e kujtoj nga periudha e pushtimit ushtarak grek në anët tona gjatë viteve 1940-1944. Për të gjithë ishte shumë e lehtë të mbahej mend shprehja: ” Ti the lis, posa që e pe ra.” Ishte popullarizuar ngaqë të gjitha fjalët si njësi leksikore qëllonin të ishin të njohura në gjuhën shqipe pavarësisht se kur bashkohen njëra me tjetrën duket sikur dikush po flet greqisht. Ti thelis, në greqisht ka kuptimin: Ç’do? Çfarë do? Pra nuk ka të bëjë fare me kuptimin e shqipes se ti fole apo shqiptove fjalën lis. Fjalët e tjera “posa qe e pe ra” janë konkordanca fonetike me fjalë greke si “posa”, që ka kuptimin shqip “sa” ose sapo e pe ra, domethënë sapo e shikove lisin ai ra. “Qe pera” në fjalorin grek ka kuptimin dhe andej ose me përkthim të lirë “dhe andej këtej.”

Disa herë homofonet ndërgjuhësore krijojnë situata të paparashikuara dhe për të qeshur. Lokucioni greqisht “Pu tha pas” (Ku po shkon?/ Nga po vete?) u transformua me humor nga shqiptarët në “puthma pas”  që e përmbyste kuptimin nga një pyetje në një lloj lutje a kërkese paksa vulgare të puthjes së prapanicës.

Në çdo takim ndërgjuhësor është e natyrshme të krijohen konkordanca fonetike dhe diskordanca leksikore pra fjalë që tingëllojnë njësoj dhe kuptimisht janë diçka tjetër. Mjaft syresh janë të njohura midis shqiptarëve dhe sllavëve në zonat e veriut, sikurse dokumentohen nga disa burime dhe ca më shumë në forma bisedore ku në vend të urimit “Jetë të gjatë” i uron vdekjen duke thënë shprehjen “Edhe në kokën tënde,” me qëllim ose gabimisht, nga mosnjohja apo mosdija.

Në këtë kategori rasti i një karamboli fonematiko-leksikor mes rusishtes dhe shqipes mund të jetë nga më komikët. Në periudhën e miqësisë së madhe sovjetike-shqiptare një ekip rus me specialistë dhe teknikë kryesisht gjeologë udhëtonte me një makinë xhip bashkë me disa homologë shqiptarë. Gjatë rrugëtimit drejt një qyteti verior makina ngeci dhe tekniku rus deshi të mësonte shkakun pse ndaloi. Ai pyeti rusisht “Nu kak makina? Duke kapur dy fjalë të njohura për të në shqip, pa e vrarë mendjen për përkthimin, shqiptari i inatosur me situatën ia dha aty për aty përgjigjen: “Kakë makina, mut shoferi!” duke ia hedhur fajin e ndalesës si automjetit ashtu edhe shoferit që sipas tij ishte aq i pazoti, sa të meritonte një sharje adekuate me atë që u tha për xhipin.

Shënim: Këto faqe janë pjesë e dorëshkrimeve të Naum Priftit të cilat familja po i mbledh për t’ia dorëzuar Arkivit të Shtetit. Koleksioni ka plot përshkrime nga përvoja jetësore dhe gazmore të mbajtura nga vetë autori në vite.

Comment

*