Kardinali amerikan Robert Prevost zgjidhet papa i ri, zgjedh emrin Leo XIV

Romë, 8 maj 2025 – Kardinali amerikan, Robert Francis Prevost, është zgjedhur udhëheqësi i ri i Kishës Katolike Romane më 8 maj dhe ka zgjedhur emrin Leo XIV.

Ai është papa i 267 i Kishës Katolike dhe amerikani i parë që është zgjedhur papë.

Zgjedhja e tij u bë në votimin e tretë të enjten, në ditën e dytë konklavës.

Njoftimi për zgjedhjen e tij u bë nga një kardinal nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit i cili shqiptoi fjalët latine “habemus papam” (kemi papën e ri). Tani ai pritet të dalë në ballkon dhe t’i drejtohet botës.

Tymi i bardhë – që sinjalizon zgjedhjen e papës – u pa duke dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine disa minuta pas orës 18:00.

Shumë njerëz panë tymin e parë duke dalë nga oxhaku, teksa janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Në dy votimet paraprake gjatë 8 majit ishin të pasukesshme.

Për zgjedhjen e papës së ri kërkohen votat e dy të tretat e vota apo 89 vota nga 133 kardinalë, të cilët u izoluan në Kapelën Sistine që nga dita e mërkurë.

Kardinalët e nisën të mërkurën punën thellësisht rituale dhe të fshehtë për emërimin e një udhëheqësi të ri për 1.4 miliardë katolikët në mbarë botën.

Por, në mbrëmje tym i zi doli nga oxhaku në çatinë e kapelës, gjë që tregoi se nuk u zgjodh papa i ri në votimin e parë. Gjatë së enjtes, në dy votimet e para po ashtu nga oxhaku i Kapelës Sisitine u pa tym i zi.

Tym i bardhë tregon se Kisha Katolike ka zgjedhur udhëheqësin e ri, që do të zëvendësojë Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar.

Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, e njohur si konklava e fshehtë, prej shekujsh.

Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ardhshëm.

Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim te traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.

Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende hynë në Kapelën Sistine, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013 – një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.

Ashtu si në kohët mesjetare, kardinalëve gjatë konklavës iu ndalua komunikimi me botën e jashtme gjatë konklavës, dhe Vatikani ndërmorri masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.

Gjatësia mesatare e dhjetë konklavave të fundit ka qenë pak më shumë se tri ditë, dhe asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013 zgjati vetëm dy ditë.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*