Kardinali Ernest Troshani viziton ish-burgun e Spaçit, ku ishte mbajtur 12 vjet

Tiranë, 1 gusht 2026 – Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, aty ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Troshani. 98 vjeçari vizitoi fillimisht ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve

Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe të politikës.

“E falënderoj Zotin që na ka bashkuar me shnet e me të mira këtu, i falënderoj njerëzit që me admirim e me dashni me kanë pritë”, tha Kardinal Ernest Troshani.

Ai përcolli nga aty mesazhe të forta dashurie.

“Jemi bijtë e të madhit Zot, me dashtë njeni-tjetrin, me e dashtë atdheun, me mbrojtë të vërtetën, me e përhapë të vërtetën e me mbajtë shpresat e jetës”, theksoi ai.

Burgu i Spaçit mbetet simbol i krimeve të diktaturës komuniste dhe i qëndresës së atyre që refuzuan të nënshtroheshin. Prania e Kardinalit Ernest Simoni, një prej dëshmitarëve më të fortë të persekutimit komunist, i jep kësaj meshe një peshë të veçantë morale dhe historike

“Emocion i veçante që ndjekim meshë nga Kardinali Ernest Simoni. Këto ndërtesa kanë përjetuar gjak, tmerr dhe në fakt për komunistët ata duan të mos ekzistojnë”, tha Albert Melyshi.

“Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua brezat e rinj do të thonë s’ka ndodhur gjë. Kjo do ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”, tha Dom Gjergj Meta.

Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit. Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.

Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës dhe me një apel që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë.

(BalkanWeb)

Comment

*