Karen Pierce: S’ka nevojë për qasje e re. Mjafton që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit

Londër, 18 korrik 2025 – E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, ka thënë se nuk ka nevojë për zgjidhje magjike për çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo për ndonjë zgjidhje magjike që do të zgjidhte problemet në Bosnjë e Hercegovinë apo për çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ajo, transmeton BBC në gjuhën serbe.

Diplomatja britanike ka thënë se mjafton që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përmbajnë ide shumë të mira. Ato nuk janë marrëveshje teorike, por adresojnë çështje shumë praktike, si liria e lëvizjes, qasja dhe pjesëmarrja. Është jetike që politikanët t’i zbatojnë ato për të ndihmuar qytetarët dhe komunitetet”, ka thënë ajo.

Karen Pierce u emërua e dërguar speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2025, në vend të Stuart Peach.

Zonja Pierce ishte javën e kaluar në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

(r.m.)