
Mbase është normale të diskutosh ngjarje nga bota. Duhet të jetë madje më i fortë tundimi kur je nga një vend i vogël dhe shpesh i përjashtuar nga historia. Është shprehje e tërthortë e dëshirës për të qenë pjesë e “botës së madhe”. Madje qendrimet i ke plot pasion.
Në fund të fundit, asnjë ngjarje nuk është aq e largët. Nesër vendi në lajmet e televizioneve kryesore të botës mund të jetë i yti.
Në fund të viteve 1930, shqiptarët mesiguri kanë debatuar lajmet se Gjermania donte një pjesë të Çekosllovakisë apo që “u bashkua” me Austrinë, si për një ngjarje të largët që kishte të bënte me një tjetër planet, por vetëm pak muaj më vonë, historia erdhi për vizitë edhe në Shqipëri, në datën 7 prill dhe u gjendëm papritur pjesë e një mbretërie tjetër.
Është në natyrën e njeriut, jo vetëm të shqiptarëve, që të bëhemi me njërin krah apo tjetrin të debateve që shoqërojnë ngjarjet e botës nisur nga arsye që shpesh nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me to.
Për shembull për rrëmbimin në mes të natës të Maduros, diktatorit të Venezuelës, edhe amerikanët vetë në reagimet e tyre ndikoheshin më shumë nga bindja që kanë për Presidentin Donald Trump sesa nga faktet e terrenit, llogjika, historia etj. Po të lexoje reagimet e shumë të tjerëve nëpër botë nuk mësoje ndonjë gjë vërtet për Maduron apo Venezuelën, sesa kuptoje se çfarë mendojnë për Amerikën, për Gazën, për Putinin, etj.
Për shembull, për disa Maduro mund të vazhdonte të shtypte i qetë me dhunë venezuelasit sa kohë që kritikonte ashpër Izraelin. Kur kryetari i ri i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, kritikoi arrestimin e një udhëheqësi shteti, disa i kujtuan premtimin e tij për të arrestuar Benjamin Netanjahun e Izraelit nëse shkelte në Nju Jork për sesionet e OKB-së.
Më duhet ta pranoj se edhe unë e kam një mani për të gjykuar ngjarjet në botë nisur nga dukuri që nuk kanë të bëjnë me konfliktin konkret. Për mua nuk është as Gaza, as Ukraina. Është Kosova. Çfarë kanë bërë dhe thënë udhëheqës, qeveri, apo vende, gjatë viteve 1990, sidomos gjatë luftës së 1999-s, apo për pavarësinë e saj në 2008 e përtej, i ndikon emocionet e mia.
Në fund të fundit, çfarë mund t’u bëj unë udhëheqësve politikë që shpërfillën për arsyet e tyre, tragjedinë e popullit të Kosovës, përveçse të gëzohem kur u vjen atyre historia për vizitë. Kur më duket sikur lajnë mëkatet e angazhimit kundër lirisë dhe drejtësisë së një populli të shtypur e të masakruar si ai i Kosovës.
Mbaj mend një shprehje të diktatorit komunist të Kinës, Mao Ce Duni që thoshte: “po të rrish ulur në breg të lumit, herët a vonë do të shohësh të pluskojë kufoma e armikut”. Nuk e mbaj mend se ku e kam lexuar, por nuk është çudi në ndonjë kritikë nga Enver Hoxha për zbutjen e luftës së klasave në Kinë dhe apatinë e saj në luftën kundër imperializmit sovietik dhe amerikan.
Të them të drejtën lumi ka rrjedhur në mënyrë interesante nganjëherë.
Nuk po i hy shumë se pse e si, por mund të them që e kam edhe unë një listë të zezë ku shpesh i heq vizën ndonjë emri apo bëj gati lapsin sa herë që gurgullon lumi. Tani lumi ka gurgulluar kaq shumë herë sa që më është mbushur mendja se ekziston një lloj magjie që mund ta quaj “Karma e Kosovës”. Talluni po deshët, por lista ime ka tani më shumë emra me vizë përsipër sesa pa vizë.
Siria e Asadit, Maduro, Egjipti i Mubarakut, Iraku i Sadamit, e disa të tjerë. Mbase është rastësi, por të gjithë këta janë angazhuar ashpërsisht kundër lirisë apo pavarësisë së Kosovës pa qenë nevoja. Asgjë nuk i ka lidhur drejtpërdrejt me popullin kosovar që të justifikojnë hapat shtesë që kanë ndërmarrë për ta sabotuar. Për shembull, mos e njih Kosovën, po nuk ke pse shkon dhe argumenton kundër saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Apo mos e njih, por mos ia pengo diplomatët të marrin pjesë në Konferencën Islamike.
Shumicën e këtyre i lidh një fije e fortë me Rusinë e Putinit. Kjo nuk ka rënë akoma, por që kur kam hartuar listën, Rusia ka përfunduar nga rivalja kryesore e Amerikës në një lloj aneksi ekonomik të Kinës. Reputacioni i ushtrisë së fuqishme ruse ka mbetur i telendisur diku në rrugët me llucë dëbore të Donbasit. Dikur ishte fuqia dominuese e Azisë Qendrore, tani ish-republikat sovietike, kur falen, kthehen nga Pekini. Karma, po ju them.
Mbase ka ardhur koha, që Ministria e Jashtme e Kosovës të hartojë një material që e sqaron pak këtë Karmën e Kosovës dhe t’ua nisë diktatorëve të vendeve që nuk e njohin. Le ta shohin njëherë se mbase ndërrojnë mendje. Jo për Kosovën. Jo thjesht se ajo e meriton pavarësinë. Ta bëjnë për vete. Se mbase është kot kjo puna e Karmës, po ku i dihet. Një pjesë e madhe e këtyre vendeve që nuk e njohin i kanë të forta bestytnitë. E dinë ata që diçka luan këtu. E lexojnë atë letrën nga Prishtina dhe i fusin një të njohur Kosovës sa për të hequr merakun.
Vërtet, po e njohën Kosovën, u quhet i falur mëkati. Karma nuk i zë. Unë s’mërzitem nëse nuk shoh që të zbresin poshtë lumit. Fundja në vend të pamjes së ndonjë çizme diktatori, mbase zë ndonjë peshk…
Tani po e ndërpres se po shoh lajmet se po bombardohet rezidenca e Kryeajatollahut në Teheran. Si i thonë karmës në persisht?