Çështje të emigracionit: Avokati Kieran Both u përgjigjet pyetjeve të lexuesve

Erdha në Shtetet e Bashkuara si e fejuar me bashkëshortin tim aktual. I kalova të gjitha intervistat dhe mora një kartë të gjelbër dy-vjeçare. Kanë kaluar thuajse dy vjet që atëherë. A do të më dërgojë emigracioni kartën e gjelbër të përhershme apo duhet të paraqes kërkesë që të mund ta marr?
EC
Staten Island, NY
Po, DUHET të paraqisni formularë shtesë. Është mirë që na keni shkruar. Do të bënit mirë të veproni shpejt përpara se të kalojë afati dy vjeçar. Aktualisht keni një kartë të gjelbër me kusht dhe afati i fundit për të bërë kërkesë për status të përhershëm është tepër strikt. Data e skadimit që keni në green card është gjithashtu dhe data e përvjetorit tuaj të dytë si rezidente me kusht.
Një rezidenti të përhershëm me kushti jepet një Green Card që është e vlefshme për 2 vjet. Për të vazhduar të jetë rezident i përhershëm, ai/ajo duhet të paraqesë një kërkesë për heqjen e kushtit brenda periudhës 90 ditore që i paraprin datës së skadimit të kartës.Karta e gjelbër me kusht nuk mund të rinovohet. Kushti duhet hequr, përndryshe do të humbisni statusin tuaj të rezidentit të përhershëm.
Është e nevojshme të paraqisni prova që martesa juaj është e ligjshme dhe jo thjesht për të marrë statusin e rezidentit të përhershëm në SHBA. Nëse mbushni dhe dërgoni formularin I-751 në kohë, Shërbimi i Emigracionit (USCIS) do ta shtyjë statusin tuaj të rezidentit me kusht derisa të marrë vendim për kërkesën tuaj. Pasi të aplikoni, do t’ju vijë një njoftim që pasqyron këtë shtyrje të statusit.
Për të hequr kushtin e kartës së gjelbër të marrë nëpërmjet martesës, duhet të paraqisni formularin përkatës I-751, (Petition to Remove the Conditions of Residence). Statusi i rezidentit të përhershëm jepet me kusht nëse bazohet në një martesë e cila nuk kishte mbushur ende dy vjet ditën që ju dhanë rezidencën e përhershme. Statusi është me kusht, sepse duhet të jepni prova që nuk jeni martuar për t’iu shmangur ligjeve të emigracionit të Shteteve të Bashkuara.
Si rregull, mund të bëni kërkesë për heqjen e kushtit të rezidencës së përhershme nëse:
- Edhe pas dy vjetësh, vazhdoni të jeni të martuar me të njëjtin nënshtetas amerikan apo rezident permanent. Mund të përfshini gjithashtu në aplikim dhe fëmijët në rast se atyre u është dhënë statusi i rezidentit me kusht në të njëjtën kohë ose brenda 90 ditëve si dhe ju;
- Jeni fëmijë dhe për një arsye të caktuar nuk mund të përfshiheni në aplikimin e prindërve;
- Jeni i ve ose e ve që u martuat ndershmërisht, jo për qëllime përfitimi;
- U martuat pa qëllime përfitimi, por martesa përfundoi në divorc ose u anullua; ose
- U martuat pa qëllime përfitimi, por ju ose fëmija juaj u rrahët apo iu nënshtruat vuajtjes ekstreme në duart e bashkëshortit/es me nënshtetësi amerikane apo rezidencë të përhershme.
Si ju ashtu dhe bashkëshorti juaj duhet të aplikoni së bashku për heqjen e kushtit duke paraqitur formularin I-751. Nëse nuk e bëni në kohë kërkesën për heqjen e kushtit, mund të humbisni statusin e rezidentit të përhershëm dhe mund të dëboheni nga vendi. Nëse nuk e dërgoni peticionin ose e dërgoni me vonesë, automatikisht e humbisni statusin e rezidentit të përhershëm kur mbushen dy vjet që nga data kur ju dhanë këtë status me kusht. Nga ai moment bëheni të dëbueshëm nga Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk ishte për fajin tuaj që nuk arritët të paraqisnit dokumentat në kohë, mund ta dërgoni peticionin me vonesë duke e shoqëruar me një notë shpjeguese me shkrim ku i kërkoni ndër të tjera USCIS-it t’ju falë për vonesën në dërgimin e dokumentave. Mosdërgimi në kohë i dokumentave mund t’ju falet nëse kur të dërgoni peticionin arrini të tregoni në mënyrë bindëse që vonesa ndodhi për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që ishin përtej kontrollit tuaj dhe që kohëzgjatja e vonesës ishte e arsyeshme.
Mund t’i kërkoni USCIS-it që t’jua falë mospërmbushjen e kërkesës për të aplikuar së bashku, nëse nuk jeni më të martuar me bashkëshortin/en, ose kur bashkëshorti/ja ose prindi nënshtetas amerikan apo rezident i përhershëm ju ka rrahur ose abuzuar. Në raste të tilla, mund të kërkoni t’jua heqin kushtin në çdo moment pasi jeni bërë rezident me kusht, por përpara se të dëboheni nga vendi. Është e nevojshme të paraqisni prova që dëbimi nga Shtetet e Bashkuara do t’ju shkaktonte vështirësi ekstreme.
Nëse jeni ende të martuar, por ligjërisht të ndarë dhe/ose me çështjen e divorcit ende pezull, keni ende mundësi të paraqitni një waiver (dokument për heqje dorë nga një kërkesë e caktuar, në këtë rast nga aplikimi bashkarisht). USCIS-i do t’ju kërkojë t’i dërgoni një kopje të dokumentit përfundimtar të divorcit apo të anulimit të martesës. Është gjithashtu e mundur të dërgoni formularin I-751 bashkarisht dhe më pas të paraqitni dokumentin e divorcit dhe të kërkoni që do të preferonit që peticioni i paraqitur bashkarisht të trajtohej si waiver.
Ka raste kur mund t’ju kërkohet të paraqiteni për një intervistë që të provoni që kualifikoheni për green card të përhershme. USCIS-i ka nxjerrë një direktivë lidhur me rastet se kur mund të hiqet dorë nga kërkesa për të intervistuar personat që kanë paraqitur peticion për heqje të kushtit. Nëse peticioni është i dokumentuar mirë dhe nuk ka faktorë të tjerë të pafavorshëm, çështja mund të aprovohet pa intervistë.
Kur aplikimi për heqjen e kushtit nuk aprovohet, do t’ju vijë një letër ku do t’ju shpjegohet arsyeja pse nuk është aprovuar. Proçesi për dëbimin nga vendi fillon që në momentin e mosaprovimit të aplikimit. Ju jepet gjithashtu mundësia që vendimin për mosaprovimin e çështjes ta rishikojë një gjykatës i emigracionit gjatë periudhës që jeni në proçes për largimin nga vendi. Nëse gjykatësi vendos që duhet të largoheni, atëherë keni 30 ditë në dispozicion për të bërë kërkesë për apel.
Ka një mori çështjesh që lidhen me rastet e martesave dhe green card-at, me të cilat do të merremi në shkrimet e ardhshme. Ju bëjmë thirrje të konsultoheni me një ekspert në fushën e emigracionit lidhur me situatën tuaj konkrete. Mund të gjeni gjithashtu informacion shtesë në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com