Porcari (Itali), 5 shkurt 2026 – Mediat italiane raportuan se 4 anëtarë të një familjeje shqiptare e kanë humbur jetën nga rrjedhja e gazit në banesën e tyre, në Porcari, në Itali.
Viktimat janë Arti Kola 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida 42 vjeçe, djali Hajdari 22 vjeç dhe vajza Xhesika 15 vjeçe.
Nga hetimet e para dyshohet se anëtarët e familjes Kola janë helmuar nga rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një pajisje ngrohjeje në banesën e tyre.
Personi i pestë që ndodhej në banesë, vëllai i kryefamiljarit Arti Kola, i cili ka mbijetuar është dërguar për trajtim në spital. Në spital janë dërguar edhe dy karabinierë, të cilët kanë pësuar intoksifikim në vendngjarje, ku kishin shkuar për t’u ofruar ndihmë viktimave.
Tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Ekipet e shpëtimit e kanë gjetur neë banesë tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë darkë.
Alarmin e ka dhënë vëllai i kryefamiljarit, i cili i ka njoftuar karabinierët, të cilët kanë shkuar në vendngjarje e janë detyruar të thyejnë derën e hyrjes pas nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga brenda. Karabinierët kanë gjetur në banesë katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pas pak, në sy të karabinierëve i ka humbur ndjenjat edhe familjari i pestë, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Cisanellos.
Kryetari i komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, e krahasoi këtë ngjarje tragjike me tragjedinë e familjes Malanca që kishte ndodhur në shkurt të vitit 1992.
“Mbrëmë, një tragjedi e madhe ndodhi në qytetin tonë. Një familje e tërë humbi jetën në shtëpi. Hetimi do të hedhë dritë mbi këtë çështje, por shkaku duket të jetë monoksidi i karbonit. Familja Kola, përfshirë babain Arti, nënën Jonidën dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikë, ishin shumë të respektuar dhe të dashur nga komuniteti ynë. Jemi të gjithë të tronditur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje, e cila më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, e cila ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë u shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta të afërmve dhe miqve të familjes Kola për këtë humbje të rëndë që ka prekur të gjithë Porcarin. U prehshin në paqe”, ka shkruar Fornaciari.
Raportohet se familja Kola e kishte blerë shtëpinë vetëm një vit e gjysmë më parë, ndërsa ishte zhvendosur në të para pesë muajsh. Kryefamiljari punonte në një dyqan bojërash, ndërsa i biri punonte si elektricist.
(r.m.)