Prishtinë, 18 shtator 2026 – Institucioneve të Kosovës iu drejtuan katër kërkesa që konsiderohen të nevojshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga shkalla e parë e Dhomës së Specializuar të Kosovës me seli në Hagë.
Këto kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me fushëveprimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, më saktë të Kryeministrit Albin Kurti, me synimin për të ndaluar ndjekjen dhe dënimin e luftëtarëve të UÇK-së, u drejtuan nga protesta e sotme me moton “Jo në emrin tim”, të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së.
Përmes tyre, OVL e UÇK-së kërkoi:
- Shfuqizimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara;
- Shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla;
- Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve dhe luftëtarëve të UCK-së;
- Angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtje t ëish-ktrerëve të UÇK-së.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar që Gjykata Speciale ta shfuqizojë antgjykimin dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Sot jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh këtë popull që është ngritur”, tha Gucati.
Ndërkaq, Kryeministrit Kurti I ka bërë thirrje ta shkarkojë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvallë, për shkak se, siç ka thënë, ajo “nuk e ka thënë asnjë fjalë” për aktgjykimin dhe, për shkak se, sipas tij, “ka dorëzuar dokumente në Hagë”.
“Ne sot na befason që ende institucionet nuk e kanë thënë asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë për çlirimtarët, ajo sot hesht. Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumente në Hagë”, ka thënë Gucati.
“Më befason Kurti si e mban ende në zyre një njeri që nuk e thotë asnjë fjalë”, ka thënë ai.
Gucati ka kërkuar që edhe ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të japë përgjegjësi për akuzat e tij publike ndaj udhëheqësve të UÇK-së kur ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa për anulimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë adresuar edhe nga zyrtarë dhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës.
(r.m.)