Katër të vdekur nga zjarri në Tivar të Malit të Zi

Podgoricë, 15 shkurt 2024 – Katër persona, ndër ta dy të mitur, vdiqën të enjten, në një zjarr që përfshiu një vendbanim të improvizuar rom në qytetin bregdetar të Tivarit, në Malin e Zi.

“Zjarri përfshiu disa ndërtesa dhe në vendngjarje ka mbërritur ekipi i zjarrfikësve, ku gjatë operacionit të shuarjes së zjarrit kanë gjetur katër trupa të paidentifikuar”, njoftoi policia malazeze.

Prokurorja Mirjana Tankosiç Vuçiniç, tha se dyshohet që zjarri është shkaktuar nga një stufë me dru, por shkaku i saktë i zjarrit që u mori jetët  katër personave do të përcaktohet nga ekspertët.

Për këtë tragjedi reaguan shoqëria civile dhe Këshilli i Romëve, të cilët kritikuan zyrtarët e komunës për moskujdesje ndaj komunitetit rom.

“Unë nuk jam i befasuar; ne thjesht prisnim të ndodhte diçka e tillë sepse askush nuk kujdeset për romët në Tivar. Ekzistonte vetëm pikëpyetja se sa dëm do të kishte”, tha Lilana Vukoviç, nga shoqëria civile “NVU Women of Bar”.

Këshilli i Romëve në Mal të Zi tha se kjo tragjedi tregon se sa e nevojshme është shpërngulja e familjeve rome nga lagjet e këtilla të improvizuara.

“Fakti që shumë familje detyrohen të jetojnë në baraka të parafabrikuara, pa kushte dhe siguri të mjaftueshme, është një problem serioz social. Pa mbështetjen dhe masat e duhura mbrojtëse, këto familje janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh nga aksidentet, siç është ky zjarr”, tha kjo organizatë.

Këshilli i Romëve u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të përmirësojnë kushtet e banimit për popullsinë rome në Tivar dhe në mbarë Malin e Zi.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)