Prishtinë, 30 korrik 2022 – Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës do të mblidhet të dielën për të diskutuar procesin e zbatimit të vendimit për masën e reciprocitetit me Serbinë për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe përdorimin e targave të makinave.
Muajin e kaluar qeveria e Kosovës vendosi që nga 1 gushti qytetarët me dokumente të identifikimit të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, që hyjnë në Kosovë do pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e këtij dokumentit. Një masë e tillë zbatohet nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës tash e 11 vjet.
Po ashtu nga një gushti deri më 30 shtator është afati brenda të cilit makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të zëvendësohen me targa të Kosovës, RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Këshilli i Sigurisë do të do të diskutojë të dielën çështjet që mund të shfaqen përgjatë procesit të zbatimit të këtyre vendimeve…
“E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilëve nuk u pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e të cilët dëshirojnë të sfidojnë shtetin e Kosovës, andaj kjo mbledhje është për të diskutuar se a janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar dhe planifikuar”, tha ai.
Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës.
Gjatë ditës, kryeministri Kurti, publikoi edhe një video mesazh në gjuhën serbe në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës ta kuptojnë drejt vendimin e qeverisë për masat e reciprocitetit, i cili siç tha ai, është vetëm respektim i ligjit para të cilit të gjithë janë të barabartë.
Ai tha ndërkaq se në parim nuk i mbështet zgjidhjet e përkohshme, por nënvizoi se këto masa janë të nevojshme për trajtim të barabartë të qytetarëve.
“Siç nuk kemi qenë për ato targat e përkohshme, nuk jemi as për këto lloj dokumentesh të përkohshme mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur shkon në Serbi, është e nevojshme që të ketë një të tillë edhe kur hyhet në Kosovë”, tha zoti Kurti.
Kryeministri Kurti i komentoi zhvillimet gjatë një konference të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, në aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga vizita e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy e vlerësuan këtë vizitë si shumë të rëndësishme për ruajtjen dhe thellimin e partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)