KE bën thirrje për de-eskalimin e situatës në veri, paralajmëron pasoja në rast dështimi

Bruksel, 30 qershor 2023 – Këshilli Evropian (KE) i ka dënuar incidentet e fundit në komunat veriore të Kosovës dhe ka kërkuar de-eskalim të menjëhershëm të situatës. Këshilli ka paralajmëuar se “do të ketë pasoja” në rast se nuk arrihet de-eskalimi i situatës.

Në përfundim të takimit dy ditor në Bruksel, Këshilli Evropian thekson se zgjidhja e problemeve duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë pezullimin e operacionece policore, që kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen e serbët e Kosovës në këto zgjedhje.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për de-eskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe të përshkruara tashmë nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Në deklaratë thuhet se thelbësore për uljen e tensioneve është vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimi i shpejtë i marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është thelbësore të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes bazë drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.

(r.m.)