KE do të rekomandojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjës në BE

Bruksel, 12 mars 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të martën se Komisioni do të rekomandojë që vendet anëtare të hapin negociatat e anëtarësimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në bllok, pavarësisht ndasive etnike në vendin e Ballkanit Perëndimor.

Bosnja është në mesin e gjashtë vendeve të rajonit, krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.

Procesi i zgjerimit të BE-së me këto vende është bllokuar prej vitesh. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, zyrtarët e bllokut janë më të prirë të përpiqen t’i joshin ata përballë ndikimit të Kremlinit.

“E kemi kuptuar se nuk mjafton vetëm të presim që Ballkani Perëndimor të afrohet me ne”, u tha zonja von der Leyen ligjvënësve evropianë të martën. “Nuk mjafton të thuhet se dera është e hapur. Ne gjithashtu duhet të marrim përgjegjësi dhe të mbështesim rrugën e tyre drejt bashkimit në çdo mënyrë të mundshme”.

Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë rekomandimin e Komisionit Evropian në një takim të planifikuar për javën e ardhshme në Bruksel. Nuk ka asnjë garanci që shtetet anëtare do ta mbështesin atë, pasi udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, një politikan pro-rus, vazhdon të dëmtojë presidencën dhe funksionet e tjera politike në Bosnje.

Vendi ballkanik është i goditur nga ndarjet etnike, madje edhe dekada pas luftës që e copëtoi vendin në vitet 1990. Në dhjetor, Milorad Dodik i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ai synon të vazhdojë të dobësojë vendin deri në pikën e shpërbërjes.

Anëtarësimi nënkupton një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e një vendi me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Zonja Von der Leyen tha se Bosnja duhet të bëjë “më shumë përparim” për t’u anëtarësuar në BE, por theksoi më këmbëngulje “hapat mbresëlënës” që vendi ka hedhur tashmë.

“Më shumë përparim është arritur në pak më shumë se një vit, sesa në më shumë se një dekadë”, tha ajo. “Bosnja dhe Hercegovina tani është plotësisht në linjë me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, që është vendimtare në këto kohë trazirash gjeopolitike”.

Ajo vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Bosnjës në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe për përmirësimin e kontrollit të migracionit.

“Vendi po tregon se mund të përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe aspiratën e qytetarëve të tij për të qenë pjesë e familjes sonë”, tha ajo. “Mesazhi që vjen nga Bosnja dhe Hercegovina është i qartë. Kështu që edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë. E ardhmja e Bosnjës dhe Hercegovinës qëndron në Bashkimin Evropian”.

Bosnja është ndoshta shteti më i brishtë i Ballkanit. Tensionet etnike atje kanë vazhduar, shumë kohë pas përfundimit të luftës ndëretnike 1992-95 që la pas vetes mbi 100,000 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Nëse udhëheqësit e BE-së vendosin hapjen e negociatave me Bosnjën, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka shtruar kërkesën për një gjë të tillë.

(Zëri i Amerikës)