KE: Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën që Belinda Ballukut t’i hiqet imuniteti

Tiranë, 9 shkurt 2026 – Komisioni Evropian në një prononcim për media lidhur me çështjen ndaj zëvendëskryeministres e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka thënë se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit.

“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në deklaratën e Komisionit Europian për Balkanweb.

Komisioni Evropian ka bërë thirrje për reduktimin e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë”, thuhet më tutje në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian thekson se lufta efektive kundër korrupsionit ka rëndësi parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian, në raportin e vet për Shqipërinë, ka vlerësuar se qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, por përpjekjet e shtuara të zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ndërhyrë dhe për të ushtruar presion mbi sistemin gjyqësor mbeten një çështje shqetësuese serioze.

Deklarata e Komisionit Evropian vjen pas vendimarrjes së Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi masën e pezullimit nga detyra të Zëvendskryeministres e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe pas deklaratës kritike të kryeministrit Rama në adresë të Gjykatës Kushtetuese, për shkak se la në fuqi masën e SPAK e të GJKKO.

Më 16 dhjetor, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi që zëvendëskryeministres Balluku, e cila është e dyshuar për korrupsion dhe për abuzim me detyrën, t’i hiqet imuniteti, në mënyrë që të hapet rrugë për procedimin e saj të mëtejmë nga prokuroria. Por, kërkesa e SPAK-ut ka mbetur në sirtarët e Kuvendit, për shkak se shumica parlamentare ka refuzuar ta adresojë me pretekst se SPAK nuk ka dhënë dëshmi të mjaftueshme për kërkesën e saj. Ndërkohë,  qevëeria dhe kryeministri Edi Rama i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së masës së pezullimit të Balklukut nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, e shqiptuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimitt ë Organizuar (GJKKO).

Deklarata e Komisionit Evropian për Balkanweb:

Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë të adresojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.

Luftimi efektiv i korrupsionit është me rëndësi të madhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është pritja e qytetarëve të saj.

BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi.

Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi progresin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të pranimit në BE.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.

Në raportin e tij të vitit 2025 për Shqipërinë, Komisioni vuri në dukje se ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet në rritje nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të panevojshëm mbi sistemin gjyqësor mbeten një çështje shqetësuese serioze.

Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke zvogëluar ndërhyrjen politike në shërbimet gjyqësore dhe të prokurorisë.

(r.m.)