Këngëtarët e Kosovës paguan 2.3 milionë euro tatime deri në gusht

Prishtinë, 20 shtator 2024 – Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njoftoi se në periudhën janar-gusht të këtij viti i ka mbledhur 2.3 milionë euro tatime nga këngëtarët.

Sipas ATK-së, kjo është rritje e konsiderueshme në deklarimin dhe pagesën e tatimeve nga këngëtarët dhe performuesit tjerë të industrisë muzikore.

“Rritja është rezultat i masave të reja të zbatuara nga administrata për të konsoliduar aktivitetet e saj dhe për të siguruar një monitorim intensiv të këtij sektori. Të ardhurat e kësaj periudhe janë më të larta, me gjysmë milion euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në njoftim.

ATK-ja ka thënë se e ka intensifikuar monitorimin e të ardhurave të këngëtarëve, duke përfshirë performancat live, kontratat e menaxhimit si dhe të ardhurat nga burime tjera.

“Administrata Tatimore e Kosovës falënderon të gjithë këngëtarët dhe artistët që kanë përmbushur obligimet e tyre dhe inkurajon të tjerët të ndjekin të njëjtin shembull për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.

ATK-ja njoftoi edhe për objektivat e saj.

“Administrata Tatimore synon të sigurojë trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë tatimpaguesit, duke krijuar një mjedis të favorshëm për të gjithë. Kjo nismë është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të rritur të ardhurat buxhetore dhe për të përmirësuar transparencën financiare në sektorin e muzikës, duke inkurajuar të gjithë artistët të respektojnë detyrimet e tyre tatimore”, thuhet në njoftim. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Te-hyrat-nga-tatimet-e-kengetareve-ne-Kosove-640x400.jpg

(r.m.)