“Këpuca e aktorit”, metaforë e rrugëtimit të një familje, vendi

Vështrim për romanin “Këpuca e aktorit të shkrimtarit Visar Zhiti

Nga dr. Sadik Elshani

Visar Zhiti, visar i kombit

Visar Zhiti padyshim është njëri ndër shkrimtarët e intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqipe, publicistikës e kulturës sonë, një zë i fuqishëm i ndërgjegjes kombëtare. Së bashku me Petro Markon, Visar Zhiti është një rast i rrallë në letërsinë tonë, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Përvoja e tij jetësore pasqyrohet qartë në tërë krijimtarinë e tij në poezi e prozë. Shpesh koj përvojë është një përvojë e hidhur nëpër dallgët e jetës nëpër të cilat kaloi populli ynë. Por, autori me mjeshtërinë e tij artistike ka arritur ta ngre në art t’ia sjellë lexuesit, ta ruajë kujtesën e kombit. Është pjesë e jetës së tij, është pjesë e historisë sonë. Siç është shprehur edhe studiusi i njohur i letërsisë shqipe, Robert Elsie: “Jeta e tij më së miri e reflekton jetën, fatet e kombit të vet”. Solli motive të reja në letërsinë shqipe, jetën vuajtjet nëpër kampet e punës, burgjet komuniste. Ferri i Dantes shkonte rrathe – rrathe në thellësi të tokës, ferri i Visar Zhitit shtrihej horizontalisht në sipërfaqen e tokës shqiptare dhe në thellësitë e galerive të minierave-burg të Spaçit e Qafë – Barit. Gati tërë veprat e tij i përshkon elementi autobiografik, gjithmonë projektohet diku në sfond. Ai në një periudhë kohore të rinisë së tij i ndau, i përjetoi fatet, vajtjet e popullit tonë. Regjisorja jete i kishte caktuar një rol sfidues në skenën e teatrit të saj absurd.

Këpuca e aktorit

I tillë është edhe romani “Këpuca e aktorit, një rrëfim me plot elemente jëtëshkrimore. Është një roman me tre akte dhe tre epilogje, është saga e një familjeje në tri perudha historike nëpër të cilat ka kaluar kjo familje dhe Shqipëria: periudha e kohës së Zogut dhe Luftës së Dytë Botërorë, periudhës komuniste dhe asja pas rënjeë së komunizmit e deri në ditët e sotme. Romani pasqyron një mozaik ngjarjesh që shtrihen në një periudhë 111 vjeçare dhe ku defilojnë një galeri e tërë e personazheve, kryesisht të vërtetë, por që autori ua ka ndryshuar pak emrat, me pak ndryshime emrat ua ka bërë mbiemra e mbiemrat, emra. Por, hasim edhe në personazhe interesante, si: Nofulla e madhe, Jorgji Gërshëra, Mërkoshi, Çacçoja, kukulla “Barbi”, etj. Në roman ka një lojë me numrat 1, duke formuar formuar numrat 11 e 111. Më 1911 ka lindur Hekuran Zhiti, në roman, Moisi Tomorri, ndërsa romani është shkruar më 2022 e që bëjnë 111 vite. Janë këto 100 vjet pa vetmi, lojë fjalësh, duke perifrazuar titullin e një romani të Gabriel Garcia Markezit, 100 vjet mbushur me plot trazira e drama njerëzore. Ndërsa autori për të birin ka zgjedhur emrin Hektor. Po, në këtë emër ka hek-ur, por Hektori është edhe një personazh i “Iliadës” së Homerit. Sikurse Akili qe e tërheq trupin e vdekur të Hektorit nëpër rrugët e Trojes, ashtu edhe jeta e Hektor Tomorrit tërhiqet zvarrë nga diktatura komuniste. Nganjëherë personazhet përzihen, herë Moisi e herë Hektor, I tillë është fati i tyre i përbashkët. Ky është një roman i simbolikave metaforave, antitezave e kuptimeve alegorike, është metaforë e fatit, jetës së Shqipërisë të atyre periudhave historike.Autori ka zgjedhur një formë mjaft kreative për ta paraqitur rrëfimin e tij: është skena, teatri dhe akti i aktërimit në skenë e në jetë. Vetë bota, jeta është një skenë ku çdo ditë luhen drama jetësore, tragjedi e komedi, pjesë tragjiko – komike. Teatri, skena ku arti e pasqyron, imiton jeten. Përfaqësuesit e tre breznive të kësaj familje, Moisiu, Hektori, i biri dhe Irisi, vajza e Hektorit. Emri Moisi nuk është i rastësishëm, është në nderim të aktorit tonë të madh, Aleksandër Moisiu. Diçka edhe për titullin e këtij romani: këpuca është pjesë e identitetit të njeriut, simbolizon rrugëtimin e njeriut apo siç shprehet autori, është maska e këmbës.

Drama e një teatri

Siç e cek edhe autori ky rrëfim ëhtë konceptuar si një momodramë, por është zgjeruar dhe ka përfunduar në një roman poetik. Monologjet e herëpashershme, persiatjet, reflektimet për ngjarjet dhe dukuritë shoqërore, janë pjesët më poetike, më të spikatura që ia shtojnë fuqinq shprerhëse thellësinë e mendimit të këtij romani. Është një rrëfim retrospektivë, kthim mbrapa (angl. flashback), ku Hektori i rrëfen ngjarjet vajzës dhe të fejuarit të saj. Këto biseda gjatë tërë romanit ndërlidhen bukur dhe e plotësojnë këtë rrëfim, duke e freskuar me perspektivën e sotme. Romani fillon me prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në orët e hershme të mëngjesit: “…kishte kaluar mesnata, por pa zbardhëllyer ende Teatrin e shemben. Nën rrënoja kishte mbetur njëri nga aktorët. Në atë orë bëheshin edhe pushkatimet, se kush kishte thënë. Apo ai vetë… pikërisht në orën kur bëheshin pushkatimet, thashë unë. Dhe do të trgoj si u vrava. Por, meqenëse jam aktor, më të rëndësishme kam lojën, të jetës dhe të vdekjes bashkë. E kam porosi. Kam premtuar.” Dhe aktori këtu bën një parodi për vdekjen e tij. Aktori vdes kur ia ndalojnë të dalë në skenë, kur ia shembin teatrin. Është kjo një metaforë e historisë sonë të shkatërrimeve, zhdukjes së kujtesës, sindromit të vitit zero, se bota e re, çdo gjë fillon me ne. Në këto rrethana e ndeshim edhe Maksin, skenografin e teatrit, arkitektin, piktorin e skulptorin, që është një personazh i vërtetë, Maks Velo, i cili për artin e tij avangard u dënua me disa vjet burg. E dërgojnë Maksin edhe ne psikiatri, por ai nuk ishte i çmendur: “Çmendurinë ishte i gjithë atdheu”. Vetë godina e teatrit ka qenë një vepër futuristike për kohën. Në atë ndërtesë nuk janë shfaqur vetëm filma e shfaqje teatrore, por janë zhvilluar edhe drama njerëzore, gjykime arbitrare të njerëzve, kryesisht, të pafajshëm, elitës së kombit tonë, janë marrë vendime për burgosje e pushkatime. Ndërtesë e vjetër, por ka mundur të restaurohet, të shërbejë për diçka tjetër. Që të ndërtosh të renë, nuk do të thotë ta shkatërrosh të vjetrën. Tirana ka nevojë për një teatër modern, por teatri i vjetër nuk e ka pengur fare ndërtimin e një teatri të ri. Pse, vetëm një teatër duhet të ketë Tirana?! Zagrebi, qyteti ku kam studiuar në fund të viteve të 70-ta dhe në fillim të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar i ka patur 3 – 4 teatro profesioniste vetëm për komedi e satirë. Edhe vetë e kam bërë një shkrim në mbrojtje të Teatrit, me titull: “Drama e një teatri: te jeshë apo të mos jeshë”. Kam sjell si shembull mbrojtjen nga shembja të Carnegie Hall në Nju Jork. Por, kam marrë si shembull edhe shoqatën tonë që ka blerë një godinë 220 vjecare dhe është duke e meremetuar, restauruar atë, për t’ia kthyer shkëlqimin e dikurshëm.

Këpucët e kohës gjysh

Kjo është vetëm një pikënisje për ndërtimin e fabulës së këtij romani, të vazhdojmë tutje. Në aktin e parë, “Këpucët e kohës gjysh”, pasqyrohet jeta në fshat, mënyra e jetesës, mikpritja, vizta e profesorit, Safet Butka. Përshkruhen vitet shkollore të Moisiut në Normalen e Elbasanit, përgatitja e pjesëve teatrore. Dikush Moisiut ia vjedh njërën këpucë, sikur t’ia kishin vjedhur ecjen. Është kjo një simbolikë e të ecurit calë, pamundësia për ta vazhduar rrugëtimin e dëshiruar, ashtu siç ishte edhe rrugëtimi historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse edhe vetë populli duhej të aktëronte që të mbijetonte, i kishte punët piskë, dikush ia kishte vënë të dyja këmbët në një këpucë. “Më thuaj si ecën, të të them cili je”.  Një rrëfim i këndshëm, që i jep një freski romanit është përshkrimi i ekskurzionit të Normalistëve nëpër Shqipër: “Që ta duash atdheun, duhet ta njohësh atë”. Përshkruhen edhe takimet me At Gjergj Fishtën në Bibliotekën Franceskane. “Aromën e dijes nuk e kisha provuar ndonjëherë kështu” – shprehet Moisiu. “Shkollat janë si oazat në shkretirë” ;”Shqypnia ash kryqi em” janë disa copëza nga bisedat me Fishtën. Është interesant edhe takimi me nentogerin grekme nënë arvanitase, Odisea Elitis gjatë Luftës Italo – Greke. Odisea merrej edhe me shkrime, kishte shkruar edhe një poemë, “Albaniada”. Odisea Elitis është fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 1979. Në të njejtin vit edhe Nënë Tereza e Ka fituar Çmimin Nobel Për paqe. Këto Hektori do t’i mësonte më vonë duke dëgjuar radion e huaj. Janë vitet e luftës, luftohet armiku, por luftohet edhe me njëri – tjetrin, prishet marrëveshja e Mukjes me këmbënguljen e jugosllavëve. “Duke vrarë njëri – tjetrin, keni vrarë copëza Shqipërie…”. Portretizohet edhe figura e Mit’hat Frashërit, Lumo Skendos dhe libraria e tij e pasur. Flet këtu edhe për edhe për përcarjen e partizanëve dhe nacionalistëve: “Ne s’jemi kundër tyre, por kundër komunizmës që duan të sjellin, komunizma është më keq se murtaja”. “Punë e ngatërruar, mund të humbim betejat, por luftën jo”. Si metaforë e kësaj vëllavrasjeje vritet edhe Moisiu në një duel me një baskëfshatarin e tij partizan. Rast tipik i familjes shqiptare të asaj kohe: Moisiu nuk është me partizanët, por as nuk është kundër tyre, vëllau i tij, Agroni është me partizanët dhe vëllau tjetër, Guriu është i arratisur.

Kreu i dytë: Perdja e skenes në kohën baba, zvarritjet e Hektorit (1943 – 1990)

Kjo pjesë e romanit,përfshinë periudhën e viteve 1943 – 1990 dhe është rrëfimi i Hektorit për jetën e tij dhe fatin e Shqipërisë së atyre viteve. Me babain e vrarë, rolin e babait e zëvendëson xhaxhai, Agroni që në çastin e gjyqeve në sallën e teatrit duhet ta marrë edhe Hektorin 3 vjecarë se në atë moment nuk kishte kush të kujdeset për të. Ky fëmijë i mitur i përjeton ato gjyqe si në një skenë teatri absurd. Përshkruhet ajo gjendje plot tension e tmerr. Këtu gjykohet edhe Musine Kokalari e shumë intelektualë të tjerë. Atmosferën e këtyre gjyqeve makabre, groteske e përshkruan bukur me një fjali: “Nuk po rrotullohej skena, por…Shqipëria”. Hektori mbaron shkollën për aktor dhe e caktojnë në estradën e një qytet të vogël, L. (L për Lushnjën) apo siç shprehet autori: një qytet – pa qytet). Jeta në një qytet të tillë ishtë mjaft depresive, plot ankth, ashtu siç ishte në tërë Shqipërinë. Shpata e mprehtë e diktatorit dhe diktaturës u rrinte popullit te koka si shpata e Demakleut. Me një trokitje në derë nga Sigurimi në orët e vona të natës, jeta merrte një kahje tjetër drejt një rrugëtimi të pakthim. Paraqiten skena në mes të ëndrrës e ralitetit, si në një vegim. Në teatrin e estradës atmosfera me mjaft intriga, kufizim të shprehjes artistike, një zdrukthtar emërohet aktor profesionist – simbolikë e injorancës, servilizmit, mediokritetit. Hektori ballafaqohet me mjaft provokime, jeta është e pasigurt. Skenë e frikshme është kur Hektorin kryetari i Degës së Mbrendshme e detyron të shkruaj skeçe e pjesë teatrore  në një qeli, sikur për ta testuar se çka do ta nëse devijon pak nga qëndrimet zyrtare dogmatike të asaj kohe. “Po unë c’të tregoja, ku isha?  Në qeli, në burg…Në teatrin e Realizmit Socialist…Edhe në ëndërr qelia është e tmerrshme”. Po, Visar Zhiti në jetën e vërtetë ka shkruar, ka krijuar edhe në burg, duke i mbajtur në mend mbi 100 poezi. Nuk mungojnë as provokimet me femra, skena të degjenerimit moral të familjes, metodat e spiunimt, etj. “Teatri i absurdit ishte jashtë teatrit” – e tillë ishte atmosfera përreth Hektorit, i cili madje ka një paranojë se atij mund t’i ndodhë diçka e tmerrshme dhe në këtë rast do ta pësonte edhe familja, prandaj vendos që të ndahet nga bashkëshortja,në fillim ndoshta sa për sy e faqe – luanin lojën e ndarjes, por më vonë kjo përfundon në një ndarje përfundimtare. Aludim për një paradoks të çmendur të shkatërrimit të shumë familjeve shqiptare: për ta mbrojtur familjen, duhej shkatërruar atë. Përshkrim shumë i zymtë, e trishtues nga ndarja pas një takimi me gruan dhe vajzën: “Kur rrapëllima e trenit mbaroi dhe pashë shinat e zbrazëta që treteshin në largësi, unë mora rrugën e kthimit për në asgjëkundi. Më i lirë, por më i mjerë. Isha çliruar nga më e rëndësishmja e jetës, nga familja”. Kuptohet, Hektorin e dërgojnë edhe për riedukim (kupto heqje lirie, burgosje) në teatrin e sapozbuluar antik të Durrësit: “E ngula kazmën në kujtesën e tokës, zbulova dramën time”. Është ky një kontrast i fortë: e zbulojnë një teatër antik nga dheu për ta ruajtur, ndërsa sot e bëjnë rrafsh me dhe një teatër që qëndron mbi tokë. Herëpashere Hektori shkon në Tiranë për ta viziuar familjen dhe në një nga këto vizita shoku i tij, regjisori Shpëtim Gina, të cilin më vonë do ta zhdukin, e njofton Hektorin për dënimine personaliteteve të artit e kulturës, poetë, regjisorë, piktorë. Emrat janë pak të deformuar, mbiemrat janë këmbyer me emra dhe anasjelltas, por nuk është e vështirë të deshifrohet se bëhët fjalë për “Njollat e Murrme të Minush Jeros, Viktor Gjikën, Kadri Roshin, Miho Gjinin, Mihallaq Luarasin e shumë të tjerë.

“Shqipëria ishte çliruar, por jo edhe shqiptarët” – shprehet autori. Vendi kishte rënë nën sundimin e një diktature të egër, nga më të egrat në gjithë botën komuniste. Për xhaxhain e tij dhe të tjerët që mundohen ta mbrojnë diktaturën se gjoja ka bërë “përparime” në të gjitha lëmitë e jetës së Shqipërisë, Hektori i ka disa fjalë: “Dakord, s’isha kundër, doja t’u gëzohesha edhe unë, por mjaftonte të shikoja sytë e trishtuar të nënës time, atë buzëqeshje të venitur që të rrënoheshin të gjithaa…”.

Por, edhe diktaturës i erdhi fundi. Në faqet e fundit të këtij kapitulli përshkruhen edhe ditët e fundit të diktaturës, fillimi i protestave, rrëzimi i përmendores së diktatorit, ardhja e Nënë Terezes në Shqipëri, etj.

Kreu ose akti i tretë: E tanishme me kohën bijë – Irisi në syrin tim

 Në këtë kapitull kryesisht bëhët për vitet pas rënjes së diktaturës komuniste. Vërtet diktatura u shemb, por edhe demokracia nuk solli ato që priteshin nga ajo: “Po as demokracia nuk ka ardhur dhe as diktatura nuk ka ikur. Që jemi më mirë jemi. Enveri ishte ujk, Ramizi dhelpër, atdheu kopsht zoologjik”. Ata që i kishin shërbyer diktaturës ende ishin në pozita udhëheqëse, brenda natës ishin shndërruar në demokratë. Hektori më në fund kthehet në Tiranë, ish-bashkëshortja, Erika dhe vajza, Irisi kanë emigruar në Amerikë. Skena kaotike gjithandej, rrëmbime vajzash, vjedhje, vrasje në rrugë. Të gjithë shikojnë dhe askush nuk vepron: “Ky është vendi që vetëm shikon…E kanë braktisur teatrin se dramat janë nëpër rrugë”…parlamenti teatër absurd”. Nënë Tereza vjen përsëri në Shqipëri, hapen qendrat e saj nëpër qytetet e Shqipërisë. Përshkruhen grevat e urisë, ngjarjet e vitit 1997. Irisi është duke studuiuar për aktore dhe kthehen për një kohë në Shqipëri me të fejuarin e saj, Marin Pashkun, kushëririn e shkrimtarit nga Kosova, Anton Pashku. Është ky një homazh për Anton Pashkun, shkrimtar i veçantë dhe njëri ndër më të talentuarit në letërsinë shqipe, ai që me dramat e tij solli teatrin absurd. Edhe romanin “Këpuca e aktorit” herëpashere e përshkon një frymë e romanit “Oh” të Anton Pashkut. Irisi nga Shqipëria dhe Marini nga Kosova, që të dy me banim në Amerikë, sikur japin atë porosinë e bashkimit kombëtar.  ‘Teatri? Aktore dhe ajo? Doja dhe s’doja. im atë s’u bë dot aktor, kishte pasionin dhe talenntin, besoj, por nuk pati as skenën dhe as jetën. Unë u bëra aktor për të mos qenë i tillë, skena ishte e mbyllur, them për atdheun, ky ishte fati ynë dhe ne ishim qenie midis maskave të gjalla dhe këpucëve, na lëvizën siç deshën të tjerët dhe na hidhnin si te donin, tani sikur s’dinim të vetëvepronim”. Këto fjalë të Hektorit janë një epilog për jetën e tij dhe të babait, Moisiut. Shtjellohet pastaj në mënyrë më të zgjeruar atmosfera, përgatitjet për shembjen e teatrit; “Çdo vend ka teatrin që meriton”. Ka edhe mjaft faqe për këpucët e maskat: këpucët Van Gogh e këpucët Çaplin; maskat simbole të hipokrizisë, fshehjes së fytyrave të vërteta, tjetërsimit të njeriut. Me mjeshtëri është inkorporuar në roman edhe Atjoni, një figurë engjëllore në tokë e në qiell, mik i Irisit dhe Marinit. Figura e Nënë Terezes, kundrejt regjimit të egër komunist, shtetit ateist, mishëron më se miri virtytet e popullit tonë. Një murgeshë shqiptare diku larg po bëntëe me uratë atë që dikur e kishte bërë Skenderbeu me shpatë. Irisi dhe Marini japin shfaqje nëpër skenat e Europës, por tani janë duke u bërë gati për të shkuar në Ukrainë për të dhënë shfaqje atje. Tragjeditë, vuajtjet njerëzore sikur nuk kanë mbarim. Dhe ne krye të Ukrainës është një aktor, komedian, Volodimir Zelinsky.

Stili dhe gjuha e romanit

Romani “Këpuca e aktorit është një roman me një tematikë interesante e qasje moderne të të rrëfyerit me një gjuhë të pasur e të pastërt, shprehje të zgjedhura e me nënkuptime filozofike. Shkruar me një stilt ë lartëe, figuracion të pasur, ku mbizotërojnë simbolet, metaforat, antitezat. Është një lexim i këndshëm, një kronikë poetike për fatet e tre brezave të një familljeje dhe fatet e historitë e një vendi. Bota, jeta është një skenë e madhe teatri. “Jeta është lojë, – luaje – thënie e Shenjtores Nënë Tereza dhe njëherësh motoja e këtij romani.

Philadelphia, më 4 nëntor 2023

Sadik Elshani është ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.