Kërcënimi i rremë me bombë në Kuvendin e Kosovës, raportohet se ai u bë nga Serbia

Prishtinë, 5 korrik 2025 – Një kërcënim me bombë çoi në shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të shtunën paradite.

Autoritetet e sigurisë i larguan deputetët, mediat dhe të gjithë të pranishmit nga ndërtesa dhe nga oborri i Kuvendit, kur pritej vazhdimi i 42-të i seancës, e cila po mbahet çdo 48 orë, sipas dispozitave ligjore në fuqi, kurse vazhdimi i seancës u caktua për orën 20.

Menjëherë pas njoftimit për kërcënimin, në vendin e ngjarjes dolën prokuroria dhe hetuesit policorë, të cilët kryen kontrolle, së bashku me njësitë dhe pjesëtarët e njësisë speciale për deminim.

Arben Loshi, zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, tha se kërcënimi për bombë ishte bërë me telefon.

“Një person ka bërë një telefonatë në gjuhën anglez duke kërcënuar se një bombë e vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit do të shpërthejë brenda 10 minutave”, tha ai.

Pas përfundimit të kontrollit në ndërtesën e Kuvendit, prokurori Zejnullah Gashi bëri të ditur se kërcënimi ishte i rremë.

“Kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket për rezultatet në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Edhe prokurori Gashi, sikurse zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, tha se kërcënimi kishte ardhur përmes telefonit nga një shtet jomiqësor.

“Kërcënimi u bë nga një person anonim me zë mashkulli, në gjuhën angleze, dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”, tha ai.

Gashi bëri të ditur se ekspertët kanë nisur të zhvillojnë një hetim kibernetik, por nuk tha se nca cili shtet jomiqësor ishte bërë kërcënimi. Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, duke iu referuar burimeve brenda policisë, ka thënë se kërcënimi kishte ardhur nga Serbia.

Deputetët e partive që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë shprehën dyshime se këcënimi ishte një mashtrim i partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kryetarit të saj e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për obstruksion në procesin e konstituimit të Kuvendit.

(r.m.)

Comment

*