Kërcënimi i Vulinit: Serbia duhet të veprojë në Kosovë. Dhe di ta bëjë këtë

Beograd, 3 mars 2026 – Ish-shefi i shërbimit sekret të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, ka thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë ashtu siç po vepron Izraeli përmes Mossad-it në Iran.

Vulin, në një emision në mediat serbe, ka thënë se Serbia dhe BIA duhet të veprojnë në Kosovë njësoj sië po veprojnë Izraeli dhe shërbimi sekret izraelit, Mossad, ndaj atyre që janë kundër interesave të tyre.

“Shteti serb duhet të veprojë. Unë, pas kësaj, do të kërkoja që shërbimet tona të krijojnë një plan të qartë se si do të merremi me persona me emër e mbiemër, të cilët janë bartës të politikave antiserbe e ata le të mendojnë se çfarë do t’u ndodhë. Nëse mundet Izraeli, nëse mundet Mossadi, përse nuk mundet shërbimi serb? Përse nuk mundemi ne?”, ka thënë Vulin.

Ish-shefi i shërbimit sekret serb ka thënë se Serbia e ka bërë “këtë punë” në të kaluarën dhe “di ta bëjë mirë  atë“

“Nuk është se kurrë nuk kemi bërë gjëra të tilla. E dimë se si bëhen ato”, ka thënë ai.

Vulin e ka akuzuar shërbimin sekret serb që, sipas tij, nuk po vepron në Kosovë, prandaj Kryeministri Albin Kurti dhe liderët tjerë të Kosovës nuk ia ka frikën Serbisë.

“Askush nuk na ka frikën. Kurti nuk e ka aspak problem t’u ikë marrëveshjeve, sepse nuk frikësohet se do të ketë pasoja. As ai e as të tijët”, ka thënë ai.

Sipas Vulinit, Serbia duhet të ndërhyjë në Kosovë në mënyrë që Kosova t’ia ketë frikën.

Aleksandar Vulin konsiderohet si njëri ndër bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Vuçiq. Përveç ish-drejtor i BIA-s, ai ka mbajtur edhe pozita të tjera të rëndësishme në përbërjet e kaluara të Qeverisë së Serbisë. Ai ka qenë drejtor i Zyrës për Kosovën, ministër pa portofol i ngarkuar me Kosovën dhe zëvendëskryeministër i Serbisë.

Vulin është një ndër bashkëpunëtorpër më të besuar të shërbimit sekret rus. Ai ka udhëtuar shpesh në Moskë, ku është takuar me autoritetet më të larta shtetërore dhe të sigurisë së Rusisë. Disa herë është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vulin është përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të përfashirjen në akte korruptive dhe në veprimtari që cenojnë interesin nacional të Shteteve të Bashkuara.

(r.m.)