Kërcënohen me jetë Presidentja Osmani dhe familja e saj

Prishtinë, 16 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si edhe familja e saj janë kërcënuar përsëri me jetë, përmes një emaili të dërguar të mërkurën në mëngjes.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se kërcënimi është dërguar në adresën zyrtare të Zyrës së Presidentes nga emaili me emrin Betim Ibrahimi.

Në subjektin e emailit “Punoni pak ma shum/shpejt”, i cili është dërguar nga adresa elektronike betimibrahimi@yahoo.com, në gjuhën angleze, drejtohen akuza të rënda në adresë të presidentes përfshirë akuzën për “tradhëti” dhe paralajmërohen veprime hakmarrëse ndaj presidentes dhe ndaj familjes së saj.

“Edhe familja jote. Për tradhti. Për ndërrimin e flamurit tonë. Për ndjekjen e njerëzve dhe marrjen e vendimeve bazuar në mendimet e tyre… A janë shenjat në Serbi në të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht?”, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar më 16 korrik në ora 00:15.

 

Mesazhi është shoqëruar edhe me një paralajmërim automatik të sistemit informativ të presidencës që e cilëson emailin si të ardhur nga jashtë organizatës.

As Presidenca dhe as autoritetet e sigurisë së Kosovës nuk janë deklaruar lidhur me këtë kërcënim.

Autoritetet e sigurisë nisin me automatizëm hetimet në raste të tilla.

(r.m.)