Kërcënohet me jetë kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu

Shkup, 24 qershor 2023 – Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu ka denoncuar të premten në mbrëmje se është kërcënuar përmes telefonit nga një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Zoti Ganiu e ka paraqitur rastin në polici, ku ka thënë se kërcënuesi, i cili ishte prezantuar si Muharrem Hasani, i ishte thënë “Ti dhe Izet Mexhiti do ta gjeni veten të paluar në rrugë” dhe se kishte vazhduar me sharje dhe ofendime të rënda.

Zoti Ganiu, i cili ndodhet në mandatin e tretë në krye të komunës së Çairit, një komunë e banuar me shumicë shqiptare në kryeqytet, i ka thënë televizionit Alsat në Shkup se kërcënimet vijnë pas deklaratës së tij në media se “zgjedhjet e kryetarëve të degëve të Bashkimi Demokratik për Integrim bien ndesh me statutin e partisë”.

Visar Ganiu është pjesë e fraksionit të BDI-së të njohur në publik si “grupi i zjarrit”, ku bëjnë pjesë ish-nënkryetari i partisë dhe ligjvënësi Izet Mexhiti, dy deputetë të tjerë, kryetari aktual i komunës së Sarajit në Shkup, Blerim Bexheti dhe disa ish zyrtarë të lartë të BDI-së.

Aktualisht, në BDI janë duke u mbajtur zgjedhjet e brendshme, në të cilat do yë zgjidhen kryetarët e degëve dhe nëndegëve. Muharrem Hasani, në emrin e të cilit është kërcënuar kryetari i Çairit, është kandidat për kryetar të degës së BDI-së në lagjen Butel të qytetit të Shkupit. Ai është zëvendës-drejtor i Agjencisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut.

Zoti Hasani, nëpsërmjet rrjeteve sociale, i ka mohuar akuzat e zotit Ganiu përkërcënim, duke i quajtur ato si tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI”.

“Shpreh keqardhje për çdo tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI nga të vetlarguarit e familjes, e cila i lindi, i rriti dhe i solli këtu ku janë”, shkruan Hasani.

Përplasjet brenda BDI-së filluan pas pakënaqësisë së një grupi të zyrtarëve të partisë, të njohur si “grupi i zjarrit”, me performansën e ministrave të BDI-së në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, sidomos të zëvendës-kryeministrit Artan Grupi. Pjesëtarët e fraksionit “grupi i zjarrit“ thonë se Grubi vepron në qeveri pa u këshilluar me kryesinë e partisë.

Statuti i BDI-së nuk lejon fraksione brenda partisë dhe ai përdoret si mjet për largimin e këtij grupi nga pozitat drejtuese në parti. Analistët parashikojnë që “grupi i zjarrit” do të formojë një parti të re dhe në zgjedhjet e radhës mund të bëjë koalicion me partitë opozitarre shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

(r.m.)