Kërkesat për bashkim familjar – A bëhet pengesë një krim i kryer në të kaluarën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Mamaja ime është qytetare amerikane dhe dëshiron të paraqesë një kërkesë për bashkim familjar në emrin tim. Por ka një problem: kam dosje penale. Jam dënuar në vitin 2007, e kam kryer dënimin dhe jam rehabilituar. Aplikimi për vizë m’u refuzua. A do të më lëshojë ndonjëherë vizë ambasada e Shteteve të Bashkuara?

Anonim

Kjo është një pyetje e ndërlikuar, pasi ka shumë faktorë që luajnë rol në këtë lloj çështjeje dhe secili prej tyre ka të veçantën e tij. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të ofrojmë një informacion të përgjithshëm lidhur me ligjin që vepron në këto raste. Familja e lexuesit tonë, përpara se të ndërmarrë çfarëdolloj veprimi, duhet të konsultohet me një avokat me përvojë.

Ligji i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë (INA) parashtron disa arsye për papranueshmëri (inadmissibility) si dhe ka përcaktuar disa vepra të caktuara penale të cilat përbëjnë pengesë për t’u futur në SHBA si resident i përhershëm ose si emigrant. Individët që janë të “papranueshëm” nuk lejohen me ligj që të hyjnë ose të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara. Një aplikant që ndodhet jashtë Shteteve të Bashkuara, i cili ka dhënë intervistën për vizë me nëpunësin konsullor dhe është shpallur i “papranueshëm” [për t’u futur në SHBA] për shkak të një krimi në të kaluarën, mund të ketë mundësi që të aplikojë për falje të papranueshmërisë (waiver). Nëse personi që kërkon falje të papranueshmërisë lidhur me një kërkesë për vizë emigruese, ndodhet jashtë Shteteve të Bashkuara, formulari që duhet të paraqesë për këtë qëllim është I-601, (Application for Waiver of Grounds of Inadmissibility).  

Nëse kërkesa për falje të papranueshmërisë nëpërmjet formularit I-601 ju aprovohet, mund të futeni në SHBA me vizë emigruese.  Në shumicën e rasteve, nëse kërkesa për falje të papranueshmërisë lidhur me kërkesën për vizë emigruese aprovohet, ajo është e vlefshme për një kohë të pacaktuar.  

Nëse jeni shpallur i papranueshëm për arsye vepre penale, mund të bëni kërkesë për falje të papranueshmërisë në rastet si më poshtë:

  • Krim që ka të bëjë me shkelje të turpshme të standarteve të sjelljes së moralshme (CIMT); 

Shënim: Nuk jeni i “papranueshëm” pavarësisht se keni kryer një CIMT dhe nuk është e nevojshme të bëni kërkesë për waiver nëse: krimi që keni kryer ka qenë një shkelje me natyrë tërësisht politike; krimi ka qenë CIMT, por keni kryer vetëm një krim të kësaj natyre, e keni kryer kur ishit nën moshën 18 vjeç dhe jeni liruar nga burgu apo instituti i korrektimit ku ju mbajtën për të kryer dënimin, më shumë se 5 vjet përpara se të paraqisnit aplikimin ose; nëse krimi ishte CIMT, por vetëm një CIMT, për të cilin dënimi maksimal i mundshëm është 1 ose më pak se një vit burgim dhe dënimi aktual që ju dhanë ishte 6 ose më pak muaj;

  • Shkelje e ligjeve dhe rregulloreve të cilitdo vend apo shteti të SHBA-së, që kanë të bëjnë me substancat e kontrolluara në rastin kur është bërë një shkelje e vetme që konsiston në posedimin e 30 apo më pak gram marihuanë;
  • Dy ose më shumë dënime, përveç atyre të një natyre tërësisht politike, për të cilët dënimi me burgim ishte në total pesë ose më shumë vjet; 
  • Prostitucion; 
  • Vese të paligjshme me natyrë fitimi që kanë të bëjnë ose jo me prostitucionin; dhe 
  • Të huaj që janë përfshirë në veprimtari serioze kriminale dhe kanë marrë imunitet nga prokuroria.

Aplikimi për falje të papranueshmërisë (I-601) nuk është i mundshëm për të gjitha llojet e krimeve si dhe nuk u mundësohet disa shtetasve të huaj të caktuar. Nëse jeni dënuar për një krim të dhunshëm ose të rrezikshëm, duhet të tregoni me prova që e keni vepruar në “rrethana të jashtëzakonshme”, si ato që lidhen me sigurinë kombëtare ose politikën e jashtme, ose rastet kur refuzimi për t’u pranuar në SHBA do të çonte në “vështirësi tepër ose veçanërisht të jashtëzakonshme”. Edhe në rastin kur arrihet ky standart i lartë provash, qeveria e Shteteve të Bashkuara gëzon gjithsesi të drejtën ta hedhë poshtë kërkesën për falje të papranueshmërisë. Ky privilegj nuk mund t’ju jepet në qoftë se ju kanë dënuar (ose e keni pranuar që keni kryer vepra penale që përbëjnë) vrasje ose akte kriminale ku përfshihen kryerje torturash, ose përpjekje apo konspiracion për të kryer vrasje apo një veprim kriminal që përfshin torturën. Nuk ka waivers për shumicën e dënimeve që lidhen me drogën. 

Kërkesa për falje të papranueshmërisë paraqitet nëpërmjet formularit I-601 pranë konsullatës së Shteteve të Bashkuara ku u zhvillua intervista për vizë. Me aplikimin I-601 duhet të vërtetoni njërën nga pikat në vijim:

  • Jeni i papranueshëm thjesht për shkak të pjesëmarrjes në prostitucion, qoftë duke gjetur njerëz për t’i prostitutuar ose duke marrë të ardhura të nxjerra nga prostitucioni, por jeni rehabilituar dhe nëse pranoheni në SHBA, prania juaj nuk do të përbënte rrezik për sigurinë, mbrojtjen apo mirëqënien kombëtare; 
  • Kanë kaluar të paktën 15 vjet që nga koha e ngjarjes apo aktivitetit për shkak të të cilit jeni shpallur i papranueshëm, jeni rehabilituar dhe nëse pranoheni në SHBA, prania juaj nuk do të përbënte rrezik për sigurinë, mbrojtjen apo mirëqënien kombëtare;
  • I afërmi juaj që është nënshtetas amerikan apo rezident i përhershëm dhe që ka aplikuar për bashkim familjar me ju, do të përjetonte vështirësi të jashtëzakonshme nëse do t’ju refuzohej futja në SHBA. 

Faktorët që USC merr në konsideratë për të vendosur nëse vështirësia që i shkaktohet të afërmit në fjalë mund të kualifikohet si ekstreme, janë kryesisht si vijon: Shëndeti, gjendja financiare, arsimimi, motivet personale dhe faktorë të tjerë të veçantë siç janë pengesat kulturore, gjuhësore, fetare dhe etnike; frika, me bazë reale, nga persekutimi, gjymtimi fizik apo lëndimi; nga izolimi social ose stigma; dyert e mbyllura të institucioneve sociale për mbështetje, udhëzim ose mbrojtje. Aplikimi juaj duhet të mbështetet me dëshmi të dokumentuara, ose duhet të shpjegoni në mënyrë të detajuar arsyen se pse nuk mund të sillni prova të tilla. Vetëm thjesht deklarata nuk do të mjaftojnë. Arsyet mjekësore duhet të mbështeten nga deklarata të lëshuara nga një profesionist në fushën e mjekësisë.

Të kualifikohesh për I-601-shin, nuk do të thotë domosdoshmërisht që do të të aprovohet. Përveç përmbushjes së kërkesave që parashikohen me statut, duhet të paraqisni prova që dëshmojnë që faktorët pozitivë në çështjen në fjalë, kanë më shumë peshë se faktorët negativë. Edhe sikur të kualifikoheni për waiver, agjencia gëzon gjithsesi të drejtën për t’jua refuzuar kërkesën.

Që të aprovohet I-601 – falja e papranueshmërisë për arsye vepre penale – nuk mjafton të paraqesësh formularin dhe dokumentat e listuara në udhëzimet përkatëse. Ju duhet t’i tregoni USCIS-it që kualifikoheni për këtë falje dhe meritoni diskrecionin në favorin tuaj. Një avokat emigracioni me përvojë mund t’ju ndihmonte që të maksimizonit gjasat për aprovim të faljes duke paraqitur një përmbledhje ligjore si dhe duke shpjeguar arsyet se pse i përmbushni kriteret për kualifikim. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]