Fjala ime në takimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me kongresistin Jerry Nadler në shtëpinë time
Nga Msc Agim Aliçkaj, Anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA
I nderuar kongresmen Nadler,
Mirë se vini në shtëpinë tonë! Sipas traditës shqiptare shtëpia jonë i përket Zotit, familjes dhe mysafirit. Ishte kjo traditë që mirëpriti dhe shpëtoi shumë hebrenj të pafajshëm gjatë Holokaustit, të cilët jetuan ose arritën në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Jam shumë krenar që babai im Arif Aliçkaj ishte një nga shpëtimtarët që mori pjesë në këtë përpjekje fisnike mbarëkombëtare.
Populli i lashtë paqësor shqiptar nuk ka sulmuar kurrë askënd, gjithmonë në mbrojtje të lirisë së tij, duke mbrojtur fëmijët, familjet, shtëpitë dhe tokën e tij nga agresorët si Serbia që u mboll në Evropën Juglindore nga Rusia. Regjimet Serbe në bashkëpunim me Kishën dhe Akademinë e shkencave, janë përpjekur gjithmonë të asgjësojnë shqiptarët, të rrëmbejnë tokën e tyre dhe të kënaqin dëshirat e tyre hegjemoniste për të krijuar Serbinë e Madhe dhe për të siguruar daljen e Rusisë në detin Adriatik.
Në vitin 1990, me familjen time më është dashur t’i shpëtoj okupimit dhe shtypjes së popullit shqiptar të Kosovës nga diktatura komuniste serbe. Unë pata fatin të emigroja në vendin më të mirë në botë, SHBA, në vendin e mundësive dhe ëndrrave të bëra realitet për këdo që dëshiron të punojë shumë. Sot, si shumë bashkatdhetarë të tjerë këtu, po jetoj ëndrrën amerikane.
Menjëherë hyra në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të ndihmuar popullin tonë nën pushtimin serb. Jam i nderuar dhe shumë i lumtur që kam punuar me Presidentin e Ligës, ish Kongresmenin Joe DioGuardi, Këshilltaren për Çështjet e Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi dhe anëtarët e Bordit të Ligës për më shumë se 34 vjet. Dëshiroj të falënderoj Shirley’n dhe Joe’n për lidershipin dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Çlirimi i Kosovës u mundësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, të cilët ndihmuan rezistencën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës dhe në vitin 1999 Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës-UÇK, duke luftuar ushtrinë serbe dhe forcat paramilitare terroriste të komanduara nga krimineli i luftës Slobodan Millosheviq, i cili kreu një gjenocid duke vrarë më shumë se 15,000 civilë, duke zhvendosur 1 milion njerëz, duke përdhunuar 20,000 gra dhe duke masakruar 1,432 fëmijë, përfshirë foshnjat.
Pas ndërhyrjes së suksesshme dhe kapitullimit serb, bashkësia ndërkombëtare nuk arriti të bëjë një gjë shumë të rëndësishme që presidenti Biden sugjeroi si senator, denazifikimin e Serbisë. Regjimi serb i ministrit të dezinformimit të Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, sot është saktësisht i njëjtë me atë të Millosheviqit, e njëjta ideologji fashiste, me të njëjtat synime për të dominuar Ballkanin.
I kontrolluar dhe i drejtuar nga Putini, regjimi shkatërrues i Vuçiqit po promovon hapur axhendën ruse. Ata refuzojnë të sanksionojnë Rusinë, lavdërojnë kriminelët e luftës dhe refuzojnë t’i nxjerrin ata para drejtësisë, përfshirë ata që vranë tre amerikanë – vëllezërit Bytyçi, si dhe refuzojnë të kthejnë trupat e personave të zhdukur me forcë. Ata trajnojnë banditët që kërcënojnë minoritetin serb që të mos marrin pjesë në jetën demokratike të Kosovës, duke djegur makinat dhe shtëpitë e tyre.
Në maj të vitit të kaluar, kriminelët serbë kryen trazira dhe rrahën ushtarët e NATO-s, ndërsa më 24 shtator, të komanduar nga kryekrimineli Radojçiq, i cili bredh lirshëm nëpër Beograd, bënë agresion ndaj Kosovës me aktin terrorist në Banjskë, duke vrarë policin në detyrë z. Afrim Bunjaku.
Mbi të gjitha, ata tallen me dialogun e lehtësuar nga ndërmjetësit evropianë duke refuzuar të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshjen e BE-së të propozuar nga presidentët Macron dhe Scholz.Në të njëjtën kohë, ata po vazhdojnë me destabilizimin e Bosnjës dhe Malit të Zi.
Politikanët dhe diplomatët evropianë nuk janë të gatshëm t’i bëjnë ballë shantazheve dhe agresionit serb për arsye gjeopolitike, me shpresën se Serbia do të largohet nga Rusia për në Evropë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë. Në vend të kësaj, ata po i bëjnë presion viktimës, qeverisë demokratike të Albin Kurtit, duke i kërkuar të bëjë lëshime të dëmshme të pajustifikuara, duke e fajësuar atë për të gjitha keqbërjet dhe intrigat serbe.
Departamenti ynë i Shtetit ka ndjekur verbërisht politikën e dështuar evropiane, e cila ishte një surprizë e madhe për të gjithë neve, duke ditur se Presidenti Biden është shumë i njohur me situatën në Ballkan dhe agresionin serb.
Republika e Kosovës e udhëhequr nga liderët demokratikproperëndimorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, është duke bërë gjithçka në rregull, duke zbatuar rendin dhe ligjin, duke ndërtuar demokracinë dhe jetën e sigurt për të gjithë në Kosovë, përfshirë minoritetin serb.
I frustruar dhe i pakënaqur me të arriturat e Kosovës, regjimi despotik serb i A. Vuçiqit ka përqendruar të gjitha forcat për ta shkatërruar Kosovën duke kërkuar krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe si parakusht, pa pranuar marrëveshjen e BE-së dhe pa njohur pavarësinë e Kosovës.
Kjo është një çështje që ju e kuptoni shumë mirë, i nderuar kongresmen Nadler, si anëtar i rangut të Komitetit Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara dhe vendet më demokratike e kanë njohur Republikën e Kosovës, në bazë të planit të Ahtisaarit të përgatitur prej tyre, i cili garanton me Kushtetutë të drejtat më të larta që mund t’i gëzojë ndonjë pakicë në botë. Qeveria e Kosovës po e zbaton me besnikëri këtë plan.
Kërkesa e Serbisë për t’i dhënë autonomi shtesë pakicës së tyre ka vetëm një qëllim, ta bëjë Kosovën jofunksionale, të nënshtruar ndaj ndarjes dhe shkatërrimit të plotë. Është afërsisht i njëjti numër, rreth 80 mijë shqiptarë që jetojnë në Serbinë jugore, të cilët po diskriminohen dhe pastrohen etnikisht nga regjimi serb. Pse nuk mund të gëzojnë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë? Pse nuk mund të kenë edhe ata Asociacion të komunave me shumicë shqiptare?
Krahasimi i të drejtave tregon se serbët në Kosovë kanë spitalin e tyre, universitetin e tyre në gjuhën serbe, diploma të njohura, 10 vende të rezervuara automatikisht në parlament me të drejtë vetoje, një ministër e kështu me radhë. Shqiptarët në Serbi nuk kanë asgjë nga këto, ndërsa në të njëjtën kohë më shumë se 6000 adresa të tyre janë hequr nga regjistri pa të drejtë vote.
Populli i Kosovës kërkon drejtësi, jo hakmarrje ndaj Serbisë, e cila ende duhet të pranojë dhe të kërkojë falje për gjenocidin. Ata vetëm kërkojnë të kenë të drejtën e ekzistencës në tokat e tyre stërgjyshore. Në këtë drejtim, ne ju lusim me mirësi që mundësisht të përdorni fuqinë dhe lidhjet tuaja në Kongres dhe administratën e Biden-Harris për të ndihmuar popullin më pro-amerikan të Kosovës të jetojë i lirë në paqe dhe demokraci duke:
– Kërkuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamentit i Shtetit që të përfshihen drejtpërdrejt në dialog duke udhëhequr, jo duke e ndjekur Evropën. Presim vetëm zbatimin e drejtësisë së barabartë për të dyja palët e përfshira, duke i bërë presion serioz Serbisë që të nënshkruajë marrëveshjen e BE-së pa parakushte, veçanërisht pa Asociacion të dëmshëm e të panevojshëm të komunave serbe. Siç ka deklaruar më heret Presidenti Biden, njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE, duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.
– Organizuar një seancë dëgjimore, pas zgjedhjeve të nëntorit, për të trajtuar dhe vlerësuar situatën e përgjithshme, si dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.
Ne e kuptojmë se ka probleme më të mëdha dhe më të rrezikshme në botë me të cilat SHBA duhet të merren, si lufta në Ukrainë dhe Gaza, por problemi në Ballkan është i ndërlidhur. Të gjitha këto probleme shkaktohen nga vendet e “boshtit të së keqes”, Rusia, Serbia, Kina, Koreja e Veriut, Irani, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi. Rusia është veçanërisht e interesuar të përdorë Serbinë për të hapur një konflikt të ri në Ballkan, në mënyrë që lufta në Ukrainë të bëhet më e lehtë për ta.
Agim Aliçkaj,
Anëtar i Bordit Ekzekutiv të LQSHA
Bronxville, NY, Më 16 shtator 2024