Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Presioni ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit e minon sovranitetin e Kosovës

Prishtinë, 7 qershor 2024 – Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) e kundërshton presionin që po ushtrohet ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky këshill vlerëson se ky presion e minon sovranitetin e Kosovës dhe e inkurajon Serbinë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Këshilli i Ambasadorëve është kundër presionit ndaj Kosovës që të pajtohet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe beson se një presion i tillë minon sovranitetin e Kosovës dhe inkurajon qëndrimin e Serbisë për mosnjohje. Zgjidhjet e imponuara mund të destabilizojnë rajonin”, thuhet në një deklaratë të këtij këshilli.

KASH i bën thirrje Bashkimit Evropian që në dialogun Kosovë-Serbi të jetë lehtësues i paanshëm që e respekton pavarësinë e Kosovës.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekon se kontributi dhe roli i pazëvendësueshëm i BE-së duhet të fokusohet në lehtësimin e një dialogu të drejtë që respekton pavarësinë e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thotë se i ka ndjekur me shumë interes dhe shqetësim negociatat e stërzgjatura ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe se dëshiron të shohë një marrëveshje përfundimtare sa më shpejt të jetë e mundur.

Po ashtu, bën thirrje që përfaqësuesi i ardhshëm i Bashkimit Ebrtopian për dialogun Kosovë- Serbi të jetë një nga diplomatët apo politikanët që do ta ketë besimin e të dyja palëve në dialog.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje BE-së po ashtu që për dialogun Kosovë-Serbi të caktojë negociator nga rangu i diplomatëve/politikanëve të mirëpritur dhe të pranuar nga të dyja vendet, në mënyrë që të rritet niveli i besueshmërisë tek të gjitha palët”, thuhet në deklaratë.

KASH kërkon gjithashtu që sjelljet e Serbisë si përfaqësuese ruse dhe retorika e liderit të Republika Srpska, Milorad Dodik për ndarjen nga Bosnja dhe Hercegovina “të ndalet me çdo kusht përpara se të jetë tepër vonë”.

“Ne e konsiderojmë këtë si një instrument lufte, si një qasje që shkon në të njëjtën linjë/logjikë me agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet tutje në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve.

(r.m.)